Minatorët e Trepçës marrin mirënjohje
Prishtinë, 19 shkurt - Në shënimin e 30 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndau mirënjohje për minatorët të cilët ishin pjesë e kësaj greve dhe po këtë vit dalin në pension.
Këto mirënjohje u ndanë për kontributin e tyre të dhënë në minierën e Trepçës dhe për sakrificën e tyre gjatë grevës së 28 shkurtit në vitin 1989.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku u shpreh i kënaqur me kujdesin e treguar ndaj tyre nga Ministri Lluka.
"Ne shpresojmë që shumë shpejtë do të zgjidhet çështja e beneficioneve e cila do të ju garantonte një pensionim më të mirë”, tha Shyqyri Sadiku.
Po ashtu, në shënimin e 30 vjetorit të grevës ishte i pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili tha se Trepça dhe minatorët janë simbolike e qytetit të Mitrovicës, duke i falënderuar minatorët për mundin dhe punën të cilën e kanë bërë për minierën e Trepçës.