Marrëveshja serbe për Trepçën nuk është valide
Prishtinë, 23 maj - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti sot mbledhje e rradhës me një agjendë të ngjeshur, ku u diskutua për një numër të çështjeve dhe u morën vendime të rëndësishme në të mirë të proceseve që zhvillon Agjencia.
Gjatë kësaj mbledhje të gjatë një hap shumë i rëndësishëm u arrit me vendimin e Bordit për përfshirjen në procesin e likuidimit të 39 Ndërmarrjeve Shoqërore, ndërkaq u aprovua edhe formimi i autoriteteve të Likuidimit në këto ndërmarrje.
Bordi i Drejtorëve diskutoi në veçanti për zhvillimet e fundit lidhur me Ndërmarrjen Shoqërore Trepça nën administrimin e AKP-së, dhe si organ vendimëmarrës për AKP përsërit qëndrimin e bazuar në Ligjet në fuqi, se asnjë marrëveshje që ka të bëjë me Trepçën nuk është valide dhe nuk është e zbatueshme pa lejen paraprake dhe aprovimin e Bordit të AKP-së.
Bordi njëherit iu bënë thirrje kompanive ndërkombëtare që kanë interesim për Trepçën që të kontaktojnë me AKP-në, që është organ kompetent për këtë ndërmarrje.
Po në këtë mbledhje dhe në frymën e ligjit në fuqi, Bordi i Drejtorëve shqyrtoi kërkesën e ndërmarrjes Trepça-Menaxhmenti në veri, për aprovimin e shitjes së koncenmtratit të plumbit dhe zingut, veprimtari kjo themelore e Trepçës dhe vendosi njëzëri për lejimin e zhvillimit të procedurave të shitjes, me mbikëqyrjen e AKP-së gjatë procesit tenderues për këtë qëllim.
Bordi i Drejtorëve diskutoi dhe miratoi transaksionet e shitjes përmes Likudimit 19, ndërkaq aprovoi edhe Raportin Vjetor të AKP-së për vitin 2012.
Gjatë këtij takimi Bordi i AKP-së diskutoi edhe për Ndërmarrjen e Re Hoteli Grand dhe miratoi memorandumin për emërimin e Bordit menaxhues në këtë Ndërmarrje, ndërsa ndërmarrja e privatizuar Banja e Pejës-Ilixhe, me vendim të Bordit u largua nga administrimi i drejtëpërdrejtë.
Agjencia ka shënuar progres domethënës me procesin e shitjes së banesave në pronësi shoqërore dhe gjatë gjatë këtij takimi Bordi aprovoi për shitje edhe 56 banesa tek shfrytëzuesit e tyre, në përputhje me Ligjin në fuqi.
Edhe një herë Bordi falëmnderoi tre drejtorët e dorëhequr për punën dhe kontributin e tyre dhe njëkohësisht mirëpret emërimin e anëtarëve të tjerë nga ana e institucioneve kompetent.