Luksemburgu ndihmon sistemin e furnizimit me ujë në Mitrovicë
Prishtinë, 18 dhjetor - Qeveria e Kosovës është mirënjohëse dhe shumë falënderuese ndaj Qeverisë së Luksemburgut që ka zgjeruar projektin aktual për të financuar këtë projekt që do të siguroj qëndrueshmëri të furnizimit me ujë në tërë rajonin, tha sot ministri i Financave Besim Beqaj me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Mirëkuptim për përkrahjen institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në Mitrovicë, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Besim Beqaj dhe ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Pierre Weber.
Me këtë rast ministri Besim Beqaj theksoi se Qeveria e Luksemburgut në fillim të vitit 2011 ka dhënë donacion në vlerë prej 4.5 milion euro për mbështetje teknike dhe institucionale për sistemin e furnizimit me ujë në Mitrovicë.
Në këtë kuadër dhe projektit të ndërtimit të fabrikës së ujit në Shipol, është identifikuar mundësia që të lidhen ujësjellësi i Mitrovicës dhe Vushtrrisë për të siguruar qëndrueshmëri të furnizimit të ujit të pijes në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.
Me transferimin e 150,000 eurove nga Qeveria e Kosovës dhe 475,690 euro nga Qeveria e Luksemburgut, ku totali arrin 625,690 euro, ne presim që deri në verë të përfundoj implementimi i projektit dhe të ketë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm në Vushtrri, shtoi ministri Beqaj.
Sipas Ministri të Financave kapacitetet ekzistuese për rajonin janë 450 l/s ndërsa pas investimeve të përbashkëta ndërmjet Komisionit Evropian, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut, do të sigurohet kapaciteti prej 1000 l/s në Shipol dhe 350 l/s në Vushtrri.
Ky trefishim i kapaciteteve do të mjaftoj për një periudhë afatgjate dhe do të përmbush nevojën e furnizimit me ujë të pijshëm për 24 orë në ditë për qytetarët e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Skenderajt.
Eliminimi i humbjeve të ujit dhe rritja e shkallës së inkasimit dhe integrimi i fshatrave në rrjetin e ujësjellësit regjional janë sfidat e radhës të Qeverisë së Kosovës, e cila është duke punuar në vazhdimësi me donatorët dhe ujësjellësin e Prizrenit që ti adresojë dhe të gjejë zgjidhje.
Ministri Beqaj, duke falënderuar taksapaguesit e Luksemburgut si dhe Ambasadorin Weber për investimet në këtë fushë e cila është prioritet i Qeverisë së Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdoj me investime në këtë rajon sa i përket fabrikave të trajtimit të ujërave të zeza.
Ndërsa, ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Pierre Weber, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me Qeverisë e Republikës së Kosovës në realizimin e këtij projekti, theksoi se Donatorët preferojnë që investimet të jenë të përbashkëta me Qeverinë e Kosovës.
Ai me këtë rast shtoi se Ky gyp do të jetë investim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Luksemburgut dhe shpresojmë se në fillim të pranverës të vitit të ardhshëm, siç edhe ju kemi thënë, qytetarët do të shijojnë ujin cilësor.