Licencohet për herë të parë deponia në Zveçan
Mitrovicë, 16 korrik - Në Mars të këtij viti, në takimin e parë zyrtar me Ministrin e Mjedisit, Dardan Gashi, shefja e Zyrës Administrative në Veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, është shprehur e gatshme që përmes zyrës së saj të bëhet edhe licencimi i deponisë së mbeturinave në Zveçan, Bos-Val, nga institucionet shtëtërore të Kosovës.
Ajo pati kërkuar ndihmën e MMPH për marrjen e licencës për këtë deponi dhe funksionalizimin e saj për të ndihmuar në deponimin e mbeturinave në mënyrë më adekuate, që njëherit edhe të krijojë kushte më të mira mjedisore për banorët e veriut.
Nga procesverbali i inspektorëve të MMPHsë bërë kësaj deponie, është kuptuar se kjo deponi nuk kishte poseduar dokumentacionin ligjor, për çka edhe është urdhëruar që operatori ti nënshtrohet procedurave administrative ligjore për pajisje me pëlqim mjedisor dhe licencë për deponinë.
Pash shqyrtimit të kërkesës së parashtruar nga PP Bos-Val Zveçan, Ministri Gashi ka miratuar vendimin për licencimin e deponisë për mbeturinat komunale, komerciale dhe mbeturinat e ngjashme me ato komunale.
Kërkesa është parashtruar nga drejtuesi teknik, Milos Markoviq. Ndërkaq, aktiviteti i deponisë do të mbikqyret nga Zyra Administrative, dhe do të shërbejë si deponi regjionale për nevojat e tri komunave veriore. Kjo deponi është e para e licencuar nga institucionet shtetërore të Kosovës, që nga paslufta.