Lezha si shembull për menaxhimin e mbeturinave
Lezhë, 1 mars - Me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme me rëndësi për qytetarët, drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë vazhduar vizitat në bashkitë e Shqipërisë.
Së fundi një delegacion i kryesuar nga kryetari, Avni Kastrati, ka qëndruar në Lezhë dhe Shëngjin, ku janë zhvilluar takime me kryetarët respektivë, Vikto Tushaj dhe Salvador Kaqaj.
Në Lezhe temë kyçe ka qenë përvoja e tyre në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Lezha njihet si një prej shembujve më të mirë në Shqipëri për trajtimin e mbeturinave.
Kryetari Tushaj, tha se Lezha është bashki pilot në këtë drejtim për shkak të implementimit të këtij projekti për mbledhjen e mbeturinave në mënyre të diferencuar.
Ai ofroi krejt mbështetjen e mundshme për Mitrovicën që të jetë nismëtare e një projekti të tillë në Kosovë.
Mitrovica duhet të nis realizimin e një projekti të tillë dhe të bëhet komuna e parë në Kosovë që trajton mbeturinat, duke i diferencuar dhe ricikluar ato.
Kryetari Kastrati, falënderoi homologun e tij nga Lezha dhe tha se në Mitrovicë mbeturinat vazhdojnë të paraqesin një prej problemeve që kanë nevojë për menaxhim më të mirë.
Jemi duke bërë krejt çka është e mundshme që të gjejmë fonde për riciklimin e tyre.
Një takim i frytshëm është zhvilluar edhe në Bashkinë e Shëngjinit, ku u bisedua për përvojën e kësaj bashkie në trajtimin e ujërave të zeza.
Për këtë ka folur kryetari Salvador Kaqaj, i cili më këtë rast ka ftuar qytetarët e Kosovës që të orientohen në bregdetin e Shëngjinit për pushime, i cili është mjaft i pastër dhe i vetmi në Shqipëri që e ka të zgjidhur problemin e ujërave të zeza.