LB: Trepça jashtë pazareve politike
Prishtinë, 21 shtator - Dje Kryeministri i Republikës së Kosovës, Haradinaj, i bëri vizitë Ndërmarrjes “Trepça” dhe në bisedë me menaxhmentin dhe punëtorët u shtruan për diskutim disa nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë.
Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se duke qenë se Ndërmarrja “Trepça” është nga çështjet që nuk e kanë pasur trajtimin e duhur institucional, është inkurajuese vizita e kryeministrit dhe temat që ai i hapi për zgjidhje.
"Kryeministrit ia rikujtojmë edhe një herë se me Ligjin për Trepçën u hoqën pengesat juridike që ndikuan në moszhvillimin e kësaj ndërmarrjeje. Por kjo nuk mjafton", thekson LB.
Fatkeqësisht, përkundër ngulmimit të vazhdueshëm të Lëvizjes për Bashkim, Qeveria e kaluar nuk e bëri asnjë hap konkret në jetësimin e Ligjit për Trepçën.
"Neglizhenca, mungesa e guximit dhe pazaret e partive politike rreth emërimeve në bord janë shkaktarët kryesorë që Ligji për Trepçën tash e një vit të mos jetësohet", vlereson LB.
Që të nxirret “Trepça” nga agonia, në të cilën ndodhet qe pothuajse tri dekada, që “Trepça” të bëhet vërtet njëra prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të Kosovës, Qeveria Haradinaj sipas LB-se duhet që menjëherë t’i ndërmarrë masat për jetësim të Ligjit për Trepçën.
Hapat e parë të domosdoshëm për rigjallërim të Trepçës janë emërimi i Bordit Mbikëqyrës, si dhe regjistrimi i ndërmarrjes së re, si Shoqëri Aksionare, në regjistrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht të Agjencisë për Regjistrim të Biznesit në Kosovë.
Lëvizja për Bashkim vazhdon të ngulmojë që të mos përsëriten gabimet e bëra deri më tani në mënyrën e përzgjedhjes së bordeve të shumë institucioneve të tjera, dhe, nëse duam zhvillim të Trepçës dhe të Kosovës, duhet që në krye të Bordit Mbikëqyrës të caktohen ekspertë të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar për zhvillim të vendit. Vetëm me një Bord të tillë Mbikëqyrës mund të vihen themele të forta për zhvillim të Trepçës.