Kusari - Lila: Prodhuesit i duhen më shumë Kosovës
Prishtinë, 19 prill - Në vizita te dy kompani prodhuese në Kosovë, Zëvendëskryeministri Pacolli dhe Ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila rikonfirmuan përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për investitorët dhe prodhuesit vendor.
Në vizitën e saj, në Llamkos, ministrja Kusari Lila u njoftua me procesin e punës, inovacionet dhe sfidat e tyre dhe i siguroi prodhuesit për përkrahjen në rritje të Ministrisë së Tregtisë për investimet në Kosovë.
Fabrika si Llamkosi i duhen më shumë Kosovës. Ne po përpiqemi të krijojmë një ambient të përshtatshëm në mënyrë që prodhuesit dhe investitorët vendor të krijojnë vende të reja puna. Zbutja e papunësisë dhe ulja e deficitit tregtar janë dy faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kjo fabrikë është rast i pastër se si mund ti përmirësojmë këta tregues, tha Kusari Lila.
Menaxheri gjeneral i Llamkos z. Paul Clark, theksoi se kjo fabrikë është privatizuar në vitin 2011 dhe se deri më tani kanë investuar mbi 40 milion euro ndërsa 90% të prodhimit e eksportojnë.
Clark tha se kanë plane ambicioze për të ardhmen siç është plastifikimi i llamarinës. Megjithatë, ai tha se kërkojnë nga Qeveria lehtësira për tender publik dhe mbrojtje të disa produkteve nga Marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë.
Ministrja Kusari - Lila, po ashtu i njoftoi edhe për procesin e marrëveshjes për tregtinë e lirë me Turqinë, si dhe për amandamentimin e ligjit për prokurim publik, e cila do të kishte ndikim direkt për ta.
Pas Vushtrrisë, Ministrja Kusari - Lila së bashku me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli vizituan kompaninë Likos në fshatin Fortesë.
Kjo kompani në bashkëpunim me investitorët turq ka planifikuar ndërtimin e fabrikës së tjegullave, por kërcënimet që kanë marrë përgjegjësit e këtij investimi rrezikojnë këtë investim.
Jam shumë e brengosur kur dëgjoj që një investitor kërcënohet apo rrezikohet, posaçërisht kur është fjala për këtë lloj të investimi për të cilin Kosova ka nevojë shumë të madhe., tha Kusari Lila.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ndërkohë i siguroi banorët e fshatit se fabrika do të sjellë përfitime ekonomike dhe nuk do të ndotë ambientin.
Ne kemi ardhur sot këtu për tju sqaruar qytetarëve se nuk do ndotë ambientin kjo fabrikë. Ekzistojnë të gjitha dëshmitë që kjo fabrikë nuk do ta ndotë ambientin. Flitet për një prodhim që i duhet Kosovës i cili tani për tani importohet 100% nga Serbia. Unë besoj se edhe skeptikët e këtij fshati do ta kuptojnë se ky investim i duhet vendit të tyre, tha zëvendëskryeministri Pacolli.
Në anën tjetër bashkë-investitori z. Xhemil Luma tha se i kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe rregullat e parapara me ligjet e Kosovës dhe se kanë marrë madje një grup nga banorët e fshatit për tua dëshmuar se kjo fabrikë nuk do ta ndotë ambientin.
Ai ka garantuar se 70% e punëtorëve të kësaj fabrike do të jenë vet banorët e fshatit Fortesë, ndërsa janë paraparë të prodhohen rreth 20 milion tjegulla në muaj.