Kusari - Lila kërkoi më shumë vëmendje për prodhuesit vendorë
Prishtinë, 17 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, duke e konsideruar sektorin privat gjeneratorin kryesor të punësimit, vizitoi sot dy fabrika në Suharekë: fabrikën e prodhimit të këpucëve Solid dhe atë të prodhimit të gomave të integruara New Co Ballkani.
Në vizitën e saj të parë, ministrja Kusari - Lila u njoftua nga Bordi drejtues i ndërmarrjes Solid, me procesin, inovacionet dhe sfidat e kësaj fabrike.
Sipas drejtorit, Shpëtim Kuçi sfidë mbetet tregu jo i drejtë.
Lidhur me këtë ministrja Kusari - Lila tha "Ajo çfarë ne jemi duke punuar me Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është që prodhuesve vendorë, në garë për projektet e ndryshme për tenderët publikë, tju japin përparësi."
"Do të bëjmë maksimumin që kjo të kryhet në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Dëshiroj dhe uroj që modele të tilla të zhvillimit të ndërmarrjeve të kemi edhe në komuna tjera të Kosovës, theksoi ministrja Kusari-Lila
Kësaj vizite iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Therandës, Blerim Kuçi, i cili tregoi vizionin e komunës për zhvillimin e zonës industriale, ku ndodhet ndërmarrja Solid.
Ndërsa, drejtori i ndërmarrjes Solid, Kuçi tha se konkurrenca e padrejtë në tregun e Kosovës dhe ngarkesa për tatim në lëndën e parë janë sfidë për ta dhe se nuk do të dekurajohen, por do ta mbajnë kualitetin e deritanishëm.
''Ne jemi të certifikuar me ISO standarde dhe këpucët tona eksportohen kryesisht në vendet e BE-së", theksoi ai.
Fabrika e këpucëve Solid është një ndër ndërmarrjet më të mëdha në Kosovë në këtë lëmi, me mbi 70 punëtorë, dhe me një kapacitet pune prej 300-600 palë këpucë në ditë, e bënë këtë fabrikë një gjigant të prodhimit dhe distribuimit të këpucëve në Kosovë dhe jashtë saj.
Më tutje, ministrja Kusari - Lila vizitoi fabrikën e industrisë së gomave të integruara Newco Balkani. "Më gëzon fakti që 90% e prodhimit tuaj eksportohet në shumë vende të botës. Ballkani është histori suksesi i privatizimit në Kosovë", theksoi ajo.
Ajo ka treguar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me me këtë ndërmarrje, posaçërisht gjatë pengesave që kanë pasur për eksport në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për çështje politike.
"Ne përmes vizitave kuptojmë nevojat dhe sfidat e tyre dhe kjo na ndihmon të bëjmë politika favorizuese për biznese", përfundoi ajo.
Drejtori i NewCo Ballkani, Muhamet Shala tha se kjo është ndër vizitat e rralla që i është bërë nga krerët e qeverisë, të cilën nuk e ka vizituar që nga privatizimi në vitin 2005. Si sfidë, sipas drejtorit Shala, mbetet rikthimi i TVSH-së duke marrë parasysh që 90 për qind të prodhimit e eksportojnë.
Ndërmarrja Newco Ballkani 60% të prodhimit e eksporton në vendet e BE-së, ndërsa prodhimet e tyre gjenden edhe në Jordani dhe së shpejti edhe në Siri.
Newco Ballkani përbëhet prej 6 njësive të prodhimit: rripa transportues, pëlhura rripa transportieri, pjesë teknike gome, gome e përzierë, V-rripa, dhe çizme të gomës dhe këpucë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e konsideron sektorin privat prioritet. Kjo është vizita e parë e ministres për këtë vit, vizita të tilla do të ketë gjatë tërë vitit, duke qenë gjithnjë në krah të biznesit.