Kuk Commerce, Ecoterm dhe Vllesa me linja te reja prodhuese
Prizren, 1 shkurt - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, së bashku me shefin e operacioneve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock dhe Patrik Shirak nga IOM-i vizituan tri nga kompanitë përfituese të granteve të ndara nga MTI dhe BE.
Vizita kishte për qëllim njohjen me rezultatet e investimeve që kanë bërë kompanitë përfituese të këtij granti në rritjen e kapacitetit prodhues dhe krijimit të vendve të reja të punës.
Me këtë rast, ministrja Bajrami përgëzoi menaxherët e të trija kompanive - Kuk Commerce, dhe Ecoterm nga Prizreni si dhe kompaninë Vllesa me seli në Suharekë - për linjat e reja prodhuese të cilat i kanë lëshuar në funksion.
Menaxherët e kompanive përfituese u shprehën falënderues për mbështetjen e ofruar nga MTI dhe BE, dhe thanë se falë këtij projekti ata kanë arritur të zgjerojnë kapacitetin e tyre prodhues që u ka mundësuar atyre të pozicionohen më mirë në tregun e Kosovës si dhe të realizojnë eksporte edhe në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë me përkushtim në fuqizimin e bizneseve vendore, sepse zhvillimi i sektorit privat është i një rëndësie tejet të madhe për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës në vendin tonë, nënvizoi ministrja.