Kryeministri Kurti rikonfirmon përkrahjen për ndërmarrjen e Trepçës
Mitrovicë, 20 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, me zëvendësministrin e Ekonomisë, z.Mentor Arifajn dhe me shefin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, z.Besim Imeri, si edhe me dy deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Armend Muja dhe znj.Arjeta Fejza zhvilluan sot një vizitë në ndërmarrjen “Trepça”.
Në takimin me udhëheqjen e “Trepçës”, kryesuesin e Bordit, z.Bahri Hyseni dhe me ushtruesin e ri të detyrës së kryeshefit, z.Enis Abdurrahmani biseduan për mbarëvajtjen e punëve në këtë ndërmarrje.
Kryeministri u shpreh i inkurajuar me faktin, që në muajin shtator ka pasur prodhim shumë të madh në “Trepçë”. “Jemi të lumtur, që kur ishim në qeverisje në pranverën e kaluar, e kemi dëshmuar tashmë edhe të udhëheqja, edhe të punëtorët, se jemi shumë të interesuar për “Trepçën” dhe këtë e kemi bërë konkretisht e materialisht. Mbi shtatë milionë euro patëm ndarë për Trepçën - mbi 3.5 milionë për rimëkëmbje, në njërën anë, dhe po aq për paga e investime kapitale”, tha ai.
Kryeministri Kurti ritheksoi se me projektin tonë për Fondin Sovran, e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik, “Trepçën”.
Nga kryesuesi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit kryeministri u njoftua edhe mbi zhvillimet dhe incidentin e fundit që ndodhi në “Trepçë”.
Kryeministri shprehu keqardhjen për sulmin e organizuar dhe të dhunshëm mbi udhëheqjen dhe e dënoi ashpër këtë sulm, i cili siç tha ai, është i drejtuar kundër “Trepçës” e Kosovës.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët si individë, ose grupe, synojnë a dëshirojnë të jenë më të fuqishëm se shteti, ata bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë tek ne”, tha kryeministri Kurti.
“Ne jemi Republikë, jemi demokraci, jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit është Enis Abdurrahmani dhe ai e ka mbështetjen time të plotë bashkë me zotin Bahri, që është kryesues i bordit këtu”, tha kryeministri.