Kriza ekonomike rajonale sjellë vështirësi për prodhuesit shqiptarë
Tiranë, 16 janar - Kriza ekonomike rajonale ka sjellë vështirësi të mëdha për disa qindra firma shqiptare që prodhojnë veshje me mall nga porositësit.
Drejtues të firmave shqiptare me fason thonë se në fillim firmat greke, dhe tashmë edhe ato italiane vonojnë pagesat e porosive të tyre, duke bllokuar firmat shqiptare.
Shumë prej tyre janë mbyllur, ndërsa të tjerat po shkurtojnë punëtorët. Por ka edhe nga ato që po mbijetojnë, duke sjellë ide dhe investime të reja.
Drejtuese e kompanisë Omega dhe presidente e Dhomës kombëtare të prodhimit të veshjeve, Lindita Legisi, thotë se kriza ekonomike rajonale ka prekur edhe Shqiërinë në mënyrë të ndjeshme. Kriza greke u ndje e para në Shqipëri.
Firmat porositëse kërkuan prodhime, por ndërprenë pagesat në mënyrë të menjëhershme dhe shkaktuan mbylljen apo reduktimin e shumë reparteve prodhuese në qytetet shqiptare pranë kufirit grek, si Saranda, Devolli dhe Gjirokastra, shton ajo.
Gjatë kësaj krize kompanitë e mëdha shqiptare kanë vazhduar punën, duke shpërndarë punën me firmat e vogla, të cilat humbën marrëdhëniet direkte me kompanitë e huaja. Ndërsa gjatë vitit të kaluar dha shenjat e saj të forta në Shqipëri edhe kriza italiane. Probleme financiare po shfaqin edhe kompani të mëdha italiane.
Zonja Legisi thotë se nuk ka shenja se Italia do të përmirësojë pagesat, ndaj po studiohen tregje dhe klientë në shtete të tjera europiane.
Pak ditë më parë qeveria hoqi taksën doganore për importimin e makinerive dhe pajisjeve, gjë që u mirëprit nga firmat prodhuese. Por bizneset e prodhimit të veshjeve u kanë kërkuar autoriteteve shtetërore disa lehtësira që janë të mundura nga rregullat e Bashkimit Europian, të cilat mund të arrihen me marrëveshje më të shpejta dypalëshe dhe shumë-palëshe. Po ashtu ata thonë se grantet dhe kreditë duhet të ishin më të lehta për të tejkaluar situata të papritura.
Por ka edhe firma të tjera që nuk i kanë ndjerë goditjet e krizës në ato përmasa sat ë tjerët. Drejtuesja e firmës SAM Mimoza Vojka, thotë se sekreti është që firma të marrë përsipër sa më shumë faza prodhimi.
Në firmën e saj ajo prodhon veshje sportive të personalizuara për gjithë tregjet europiane me cikël të mbyllur; pra merr porosinë për një kostum dhe e mbaron të gjithë vetë, ndryshe nga firmat e tjera që përgatitin vetëm një proces ose disa procese.
Ajo mendon se firmat në Shqipëri duhet të zgjedhin klientët cilësorë dhe të mos mbahen me klientë të parregullt në pagesa që gjoja sjellin punë për firmat me shumë punëtorë por nuk i paguajnë ata. këtë lloj klienti firma e saj e largon menjëherë pa rrezikuar më tej.
Në vitin 2009 ata e mbyllën biznesin e fasonit duke iu përkushtuar një prodhimi të ri me cikël të mbyllur. Firma ofron një numër të madh prodhimesh sportive, duke nisur edhe nga një fanellë për një sportist. Zonja Vojka thotë se gjatë kohës së krizës firma e saj investoi në teknologji moderne dhe u hap në tregje të reja, duke shtuar klientët.
Aktualisht Shqipëria ka rreth 470 firma prodhimi me porosi nga jashtë. Sipas statistikave të organizatës së tyre, ato aktualisht kanë rreth 60 mijë punëtorë nga 100 mijë punëtorë që kishin në 2008. Deri vjet fasoneria ishte e para në radhën e bizneseve të eksportit dhe tërheqjes së euros, ndërsa tani ka dalë e dyta pas energjisë, mineraleve dhe metaleve.