KPMM dështon ti inkasojë 3 milionë euro
Prishtinë 3 maj - Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) po dështon ti inkasojë mjetet e faturuara nga gjobat administrative dhe rentat minerale.
Sipas raportit vjetor 2012 të këtij institucioni, të cilin ia ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës, KPMM gjatë vitit të kaluar ka inkasuar më shumë mjete vetëm nga taksat administrative, ku nga 256 mijë euro të faturuara ka inkasuar 346 mijë euro, ndërsa ka dështuar ti inkasojë mjetet e faturuara nga gjobat administrative.
Sipas këtij raporti, të cilin e ka siguruar gazeta Zëri, 1.8 milion euro janë faturuar në emër të gjobave administrative, ndërsa janë inkasuar vetëm 180 mijë euro.
Po ashtu 7.3 milionë euro janë faturuar në emër të rentave minerare, ndërsa janë inkasuar vetëm 5.8 milionë euro.Mbi 3 milionë euro është dallimi mes faturimit dhe mjeteve të inkasuara, thuhet mes tjerash në këtë raport.
Pavarësisht mosinkasimit të mjeteve të faturuara në emër të gjobave administrative, sipas raportit, KPMM-ja gjatë vitit 2012, ka pas një aktivitet te shtuar ndaj operuesve ilegal dhe me ketë janë përgatit nga departamenti i financave 164 raporte për operime ilegale.
Te renta minerare siç shihet është një faturim me i madh sesa inkasimi për ketë vit, pra kemi të bëjmë me obligimet e Minierës se Trepçës, që arrijnë në 744 mijë euro. Në fillim të këtij viti Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare ka aplikuar ne Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si kreditor i Trepçës, shuma e kreditimit është mbi 2.8 milionë euro, bëhet e ditur në raport.
Në vitin 2007, inkasimet kishin qenë edhe më të ulëta, përkatësisht 10800 euro nga renta minerale dhe 4800 euro nga taksat administrative, ndërsa gjoba administrative nuk kishte fare. Rentat minerale një vit më vonë, përkatësisht në 2008, ishin 13800 euro, ndërsa taksa administrative më pak se 4500 euro.
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, sipas raportit, gjatë vitit 2012 ka mbajtur 19 takime të Bordit, në të cilat janë shqyrtuar 297 kërkesa për licenca dhe leje (në këtë numër janë përfshirë kërkesat e kompanive që janë shqyrtuar më tepër se një herë si dhe kërkesat e kompanive të pranuara para vitit 2012), ku prej tyre kanë qene:168 kërkesa për Licenca te hulumtimit, 65 kërkesa për licenca te shfrytëzimit dhe 64 kërkesa për leje dhe aktivitete të veçanta.
Pas procedimit te të gjitha aplikacioneve të lartcekura sipas procedurave të parapara me rregullativën ligjore në fuqi janë lëshuar 98 licenca dhe leje. Prej tyre janë 45 licenca për hulumtim dhe 40 licenca për shfrytëzim, si dhe 13 leje për aktivitete të veçanta (bazë asfalti 1, bazë betoni 2, separacione 10), potencohet mes tjerash në raport.
/Zëri/