Kosova ka mundësi për ta zhvilluar dhe modernizuar zejtarinë
Prishtinë, 3 prill - Organizuar nga Grupi i Grave deputete, sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt një tryezë lidhur me veprimtarinë zejtare me titull: Zejtaria-mundësi punësimi për gratë në Kosovë.
Anëtarja e Bordit të GGD-së, znj Flora Brovina, ka qenë edhe më herët e ftuar e Odës Zejtare të Koblencit, të cilët i ka inkurajuar të bashkëpunojnë me zejtarët nga Kosova, meqë siç tha znj. Brovina, Kosova ka një traditë të mirë në zejtari dhe ky sektor është kontribuues i rëndësishëm në shumë ekonomi familjare, por edhe në punësimin e një pjese të popullatës.
Ajo tha se tani ndihet nevoja që veprimtaria zejtare si sektor shumë i rëndësishëm të modernizohet dhe në këtë aspekt Kosova mund të marrë si shembull përvojën dhe mënyrën se si funksionon zejtaria në Gjermani, për nga mënyra e organizimit si dhe për rolin e Odës Zejtare Gjermane në këtë sektor.
Udhëheqësi i delegacionit , Vitlih, tha se Kosova ka mundësi shumë të mira për ta zhvilluar dhe modernizuar zejtarinë, veçanërisht në në Prizren, por edhe në komuna tjera, ku ka kushte.
Ai tha se kësaj veprimtarie duhet dhënë rëndësi në shkolla dhe në universitete, që ta kenë edhe këtë degë, e cila duhet avancuar. Ai foli edhe për rëndësinë e formimit të Odës Zejtare të Kosovës , ndërkaq, zejtaria tradicionale e Kosovës duhet të pasurohet edhe me zeje të tjera, si: energjia alternative etj.
Kryetarja e GGD së, znj Teuta Sahatqija, e cila njëherësh është edhe nënkryetare e komisionit për Zhvillim Ekonomik, theksoi se GGD-ja dhe Komisioni do t i përkrahin lehtësimet për procedurat e regjistrimit dhe zhvillimit të bizneseve. Në këtë drejtim, gjatë këtij mandati është punuar mirë dhe është duke vazhduar ky angazhim.