25 Dhjetor 2024

Kosova ka kompletuar infrastrukturën ligjore në fushën e pronësisë

Prishtinë, 12 nëntor - Organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Dogana e Kosovës dhe Këshilli Shtetëror për Pronësi Industriale, të martën në Prishtinë është  mbajtur konferenca me temën: “Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale”. 

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se të drejtat intelektuale janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të ekonomisë kosovare, për nxitjen e inovacionit, mbrojtjen e brendeve të njohura, nxitjen e kreativitetit, promovimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për luftimin e ekonomisë jo formale.

 

Për më tepër, sipas tyre, këto të drejta janë shumë të rëndësishme në rrugën e Kosova drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, tha se kjo konferencë shënon fillimin e disa aktiviteteve të tjera vetëdijesuese që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht Agjencia e Pronësisë Industriale, do të organizojnë në javët dhe muajt e ardhshëm.


Ustaibo po ashtu ka shprehur besimin së në këtë  proces do të ketë bashkëpunim të të gjithë akterëve relevant të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe komunitetit të biznesit.


“Siç mund të jeni të informuar përdorimi i paautorizuar i markës tregtare, eksportimi, shitja e patentave pa licencë, falsifikimi i produkteve, pirateria dhe dukuritë e ngjashme janë preokupim i shumë vendeve të botës. Prandaj është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen edhe në Kosovë”, ka thënë Zëvendësministri Ustaibo.


Flutura Hoxha, Drejtoreshë e Përgjithshme në Agjencinë  për Pronësi Industriale, foli për angazhimet e kësaj Agjencie në kuadër të MTI-së për regjistrimin dhe administrimin e të drejtave pronësore industriale.

 

“Ky Agjencion bënë regjistrimin e markave tregtare, licencon përfaqësuesit e autorizuar, bënë dhënien e patentave për shpikje dhe ndryshime teknologjike, mbron dizajnin industrial dhe shumë shpejt do të fillojë edhe me regjistrimin e treguesve gjeografik dhe emërtimeve të origjinës”, theksoi ndër të tjera, Hoxha.


Ajo po ashtu ka theksuar se në Kosovë infrastruktura ligjore që mbulon fushën e pronësisë industriale është e kompletuar.

“Gjithashtu janë themeluar edhe institucionet relevante. Agjencia për Pronësi Industriale përfaqëson themelin e Pronësisë Industriale në Kosovë, ndërsa implementimi i të drejtave pronësore intelektuale në përgjithësi varet nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, që përveç detyrave të tjera janë përgjegjëse edhe për zbatimin e këtyre të drejtave.

Në këto institucione bëjnë pjesë Dogana e Kosovës, Inspektorati i Tregut, Gjykatat, Prokuroria dhe Policia e Kosovës”, tha znj. Hoxha.

Të pranishmëve në këtë  konferencë me nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës Rinisë  dhe Sportit, Doganës së Kosovës, Inspektoratit të Tregut, Gjykatës, Prokurorisë, ekspertë nga Zyra Daneze e Patentave dhe markave tregtare, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Konferenca vazhdoi punimet edhe me tre prezantime profesionale nga Veli Hoti, Kenny Wright dhe Andrea Andreev.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)