Korrupsioni me lejet e ndërtimeve rrezikon jetën e qytetarëve
Prishtinë, 17 mars - Një grup i përbërë nga anëtarë të Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë kanë dalë sot, tek çerdhja Lulevera në lagjen Dardania për të parë nga afër situatën e krijuar pas shembjes së dheut javën e kaluar nga gërmimet për ndërtimin e objektit shumëbanesorë.
Kryetari i pikës së Vetëvendosje!-s në lagjen Dardania, Arbër Vokrri i njoftoi anëtarët e Kryesisë më hollësisht me ngjarjen, duke sqaruar se shembja e dheut i ka rrezikuar jetët e fëmijëve, të banorëve përreth dhe ka lënë banorët e për orë të tëra pa ujë dhe pa energji elektrike.
Ndërsa Kryetari i Qendrës së Vetëvendosje!-s në Prishtinë, Berat Lahu me këtë rast deklaroi se ndërtimet e egra gjatë viteve të pasluftës e kanë sjellë Prishtinën në gjendjen e para katastrofës. Tanimë jo vetëm që është shkatërruar qyteti në rrafshin e rritjes e zgjerimit por ndërtimet po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Lahu vazhdoi duke thënë se për fat të mirë kësaj radhe nuk ka pësuar asnjë fëmijë. Mirëpo kjo çështje kurrsesi nuk guxon të lihet në duart e rastësisë. Është deri diku e kuptueshme rendja pas fitimit e ndërtuesve. Por është plotësisht e pakuptueshme indiferenca e autoriteteve shtetërore për kontrollin e rreptë në lidhje me standardet e ndërtimeve.
Pra, është Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Drejtoria e Inspeksionit që bartin përgjegjësinë në rast të rrezikimit të jetës, apo shkaktimin e dëmeve materiale gjatë ndërtimeve që ndodhin në Prishtinë.
Rrezikimi i jetës së fëmijëve që ndjekin procesin edukativ në çerdhen Lulevera dhe dëmi material që u shkaktua javën e kaluar nga ana e Komunës së Prishtinës nuk është rasti i parë dhe nuk do të jetë i fundit nëse nuk reagojmë si shoqëri:
Po i përmendim vetëm disa raste të tilla që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Prishtinë:
- Para disa muajsh në lagjen Mati 1 për shkak të mos ndërmarrjes së masave të nevojshme të sigurisë e humbi jetën qumështshitësi.
- Në shtator të vitit 2011 rasti i shembjes së dheut tek rrokaqielli në lagjen Pejton që për pak mund të kishte shkaktuar dëme katastrofike për shkak të afërsisë së pompës së derivateve.
- Shembja e dheut në lagjen Arbëria. Shembje kjo që më pas nga Komuna u sanua me para të taksapaguesve duke ndërtuar mur mbrojtës.
- Shembja e dheut në Kodrën e Diellit
Shpesh herë për këto raste po thuhet se po ndodhin për shkak të neglizhencës së Komunës apo punëkryesit. Mirëpo kjo thuhet vetëm sa për të relativizuar këto raste tepër të rrezikshme.
Problemi është tjetërkund në fakt. Rrezikimi i jetës së qytetarëve vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve korruptive e instaluar në fushën e ndërtimeve nga ana e qeverisjes lokale.
Janë dy momente kur zyrtarët komunal kërkojnë mito nga ndërtuesit. Gjatë procesit të dhënies së lejes së ndërtimit dhe në procesin e inspektimit gjatë ndërtimit të objekteve.
Ne Qendra e Vetëvendosje! në Prishtinë, kërkojmë që urgjentisht nëpër punishtet në Prishtinë të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e çdo rasti që rrezikon jetën e qytetarëve dhe do të reagojmë me tërë kapacitetin tonë që të ndërpritet shkatërrimi i mëtutjeshëm i Prishtinës.