23 Dhjetor 2024

Kontrolli i brendshëm financiar, parandalon abuzimin me paranë

Prishtinë, 20 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur një tryezë të rrumbullaket me temën “Kontrolli i Brendshëm Financiar në Kosovë”.

Qëllimi i këtij takimi ishte të prezantohet draft Raporti i KDI-së lidhur me monitorimin e zbatimit të Ligjit për Auditimin e Brendshëm në Kosovë.

Isuf Zejna, analist i projektit në KDI, ka prezantuar të gjeturat kryesore të këtij Raporti duke nënvizuar faktin e mungesës së pavarësisë në punën e auditorëve të brendshëm.

Gjithashtu ndër të gjeturat tjera ai ka evidentuar edhe mos krijimin e njësive të auditimi të brendshëm dhe mungesën e trajnimeve dhe aftësime adekuate për auditorët kosovar. Gjithashtu shumë shqetësues është gjetur fakti i largimeve arbitrare nga puna të stafit auditues dhe mos dhënja e pagave të plota ashtu si e kërkon Ligji.

Safete Hadergjonaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, ka vlerësuar si objektiv këtë raport dhe të gjeturat.

Ajo po ashtu ka thënë se ekziston nevoja e plotësimit e mëtutjeshëm të bazës ligjore dhe e adresimit të gjitha lëshimeve të evidentuara në proces. Ajo ka siguruar se ndryshimet e legjislacionit për pagat e zyrtarëve, nuk kanë për qëllim që të ulin pagat e auditorëve të brendshëm.

Ramiz Lladrovci nga Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë se disa njësi të auditimit në planet e tyre të punës nuk u japin prioritet fushave me rrezikshmëri të lart të cilat potencialisht përcillen me më shumë shkelje në vazhdimësi.

Ai po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me lëvizjet e stafit në organizatat buxhetore, duke i larguar nga puna disa auditor të brendshëm.

Kimete Arifi nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm (NjQHAB), ka prezantuar punën që bënë kjo Njësi dhe të arriturat kryesore në fushën e auditimit të brendshëm.

Sipas saj progres domethënës është arritur në krijimin e njësive të auditimit të brendshëm, pasi aktualisht vetëm organizatat e vogla buxhetore nuk i kanë themeluar këto njësi. Sipas saj 97% e buxhetit shtetëror është e mbuluar me auditim të brendshëm.

Agron Demi nga Instituti GAP, ka konstatuar se auditimi i brendshëm në nivelin lokal ka probleme të shumta, si pasoj e mos përkrahjes nga ana e kryesuesve të organizatave buxhetore.

Ai po ashtu ka thënë se problematik mbetet transparenca në auditimin e brendshëm dhe llogaridhënia para asambleve komunale dhe qytetarëve.

Sipas tij deri më tani mungon kjo lidhje e auditorëve të brendshëm dhe kuvendeve komunale.

Të pranishmit në këtë debat kanë vlerësuar si të qëlluar idenë e monitorimit të zbatimit të këtij Ligji dhe po ashtu kanë ngritur dilema rreth pavarësisë së auditorëve të brendshëm kur dihet forma e llogaridhënies së tyre.

Aty po ashtu është kërkuar të rriten kapacitetet vendore në trajnimin e auditorëve të brendshëm. Po ashtu është thënë se forma e bashkëpunimit të tyre me organet e hetuesisë është një sfidë për të cilën deri më tani nuk është gjetur një formë adekuate e rregullimit ligjor.

Konkluzionet e raportit të monitorimit të zbatimit të këtij Ligji janë:

1.    Baza aktuale ligjore nuk ka siguruar të gjitha instrumentet e nevojshme për mbrojtjen e pavarësisë së auditorëve të brendshëm;

2.    Ekziston mungesë e përkrahjes financiare për organizatat buxhetore në themelimin e Njësive të Auditimit të Brendshëm;

3.    Organizatat buxhetore të cilat kanë themeluar njësitë e auditimit, nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar ligjor të auditorëve të brendshëm;

4.    Disa organizata buxhetore, nuk kanë themeluar Komitetet e Auditimit;

5.    Komitetet e auditimit, aktualisht janë jo funksionale edhe aty ku janë themeluar dhe nuk e kryejnë punën të cilën kërkohet prej tyre;

6.    Mungojnë trajnimet efektive për aftësimin e anëtarëve të komiteteve të auditimit. Trajnimet e deri tanishme nuk kanë dhënë efektet e duhura;

7.    Anëtarët e komiteteve të auditimit nuk kanë stimulim material, për kryerjen e punëve të tyre;

8.    Nuk janë krijuar institucione vendore për të shkolluar dhe aftësuar stafin për auditor të brendshëm;

9.    Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë mjete financiare për të trajnuar auditorët dhe trajnerët kosovar jashtë vendit;

10.    Relacionet e auditorëve të brendshëm me organet e ndjekjes nuk janë të rregulluara mirë dhe bashkëpunimi mbetet më shumë vullnetar;

11.    Ndryshimet e legjislacionit për pagat e zyrtarëve, rrezikojnë të prekin auditimin e brendshëm, gjë e cila do të rrezikonte pavarësinë edhe ashtu të brisht të këtyre institucioneve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)