Konsumatorët e fshatit Uglar mbi 400 mije euro borxhe ndaj KRU Prishtina
Prishtinë,
12 mars - "325 konsumatorë me mbi 400 mijë euro borxh për shërbime të
ujësjellësit dhe kanalizimit, është ky fshati Uglar në Komunën e
Graçanicës edhe pse me pozitë gjeografike, shumë afër Fushë Kosovës", ka
thënë Kompania Rajonale e Ujesjellesit "Prishtina".
KRU ”Prishtina” sh.a. e ka nisur vitin 2018 me moton ” Të gjithë në aksion”.
Duke filluar nga muaji janar 2018, kjo kompani ka nisur një aksion që ka të bëjë me ndëshkimet ndaj konsumatorëve borxhlinj.
Si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera.
Me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura
të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Për këtë aksion, KRU ”Prishtina” sh.a. ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU ”
Prishtina” sh.a. si : Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva,
Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
"Brenda dy muajve janë aplikuar mbi 350 shkyçje individuale nga sistemi i
rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 1500 konsumatorë borxhlinj
dhe mbi 600 lëndë janë dërguar te përmbaruesit privat."
Paralelisht me aksionin e shkyçjeve, KRU ”Prishtina” sh.a., nga dita e
premte, 9 mars 2018, ka nisur edhe takime me konsumatorë të fshatrave
dhe qyteteve që kanë borxhe të mëdha ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe
kanalizimit.
Menaxheri i Departamentit për Konsumatorë në kuadër të Ujësjellësit të
Prishtinës z. Kapllan Parduzi me zyrtarë të tjerë, përfaqësues të
ARRU-së dhe nënkryetari i Komunës së Graçanicës z, Sasha Daniç gjatë
ditës së premte, u takuan me konsumatorë të fshatit Uglar.
Qëllimi i këtij takimi ishte, dëgjimet dhe arsyeshmëritë nga ana e
konsumatorëve për mospagesa , borxhet e mëdha, ofrimi i shërbimeve të
tjera të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit si, infrastruktura e
rrjetit , leximi i ujëmatësve, instalimi i tyre në secilin objekt
privat, furnizimi me ujë të pijshëm etj.
Pas diskutimeve të njëpasnjëshme, u arrit marrëveshje që secili
konsumatorë i këtij fshati t’i vendosë ujëmatësit veq e veq, derisa KRU
”Prishtina” u premtoj atyre ofrime të rregullta të shërbimeve, përfshirë
furnizim më të mirë me ujë të pijshëm dhe lexim të rregullt të
ujëmatësve pas instalimit nga ana e tyre , duke kërkuar nga ata pagesa
të rregullta të shërbimeve.
Takime të tilla me konsumatorë borxhlinj do të mbahen në vazhdimësi, derisa aksioni i shkyçjeve po vazhdon edhe sot.