Koncepti i ri i Honda Civic Wagon
Tokio, 24 shkurt - Kompania Honda e publikoi skicën e dizajnit se si do të duket koncepti Honda Civic Wagon i cili premierën do ta ketë muajin e ardhëm në panairin e veturave që do të mbahet në Gjenevë.
Prodhuesi japonez pohon që koncepti i tij në mënyrë të besueshme shfaq se si do të duket në fund versioni i prodhuar.
Ky model do të prodhohet në fabrikën e Honda-s në Swindon, ndërsa versioni përfundimtar do të prezantohet së shpejti, derisa lansimi në treg është parashikuar për fillimin e vitit 2014.
Në skicat e publikuara mundet qartë të shihet që edhe në këtë model prodhuesi japonez do ti ofrojë dorëzat e fshehura në dyert e pasme me të cilat është pajisur edhe versioni hatchback.
Po ashtu, pjesa e pasme e automobilit deri diku ngjan me modelin Accord Tourer. Sa i përket motorikes ajo do të merret nga modeli bazë, duke përfshirë edhe motorin e lansuar kohë më parë, atë 1.6-litra i-DTEC i cili është me naftë.
Prodhuesi Honda në Gjenevë do të prezantojë edhe konceptin e freskuar NSX dhe modelin CR-V i cili është i pajisur me motorin e lartpërmendur me naftë. Mirëpo duhet cekur se këto nuk janë modelet e vetme që ky prodhues do ti prezantojë gjatë këtij viti.