24 Dhjetor 2024

Komuna e pafuqishme në ndalimin e tejkalimeve në ndërtimet e larta

Prizren, 29 maj - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë javëve të kaluara ka shqyrtuar çështjen e tejkalimeve në ndërtimet e larta.

Hulumtimi i “EC Ma Ndryshe” ka nxjerrë në pah faktin se qeveria komunale respektivisht Drejtoria e Inspektorateve është e pafuqishme në ndalimin e tejkalimeve në ndërtesat e reja të banimit kolektiv. Rrjedhimisht tejkalimet drastike të lejeve urbanistike në ndërtimet e larta janë bërë dukuri kronike në qytetin e Prizrenit.

Konkretisht bëhet fjalë për objektin afarist-banesor në vendin e quajtur “Atmejdan” në rrugën “Tirana”, p.n., ku investitori përkundër shumë vërejtjeve të Drejtorisë së Inspektorateve ka vazhduar ndërtimin shtesë, ani pse para organeve komunale është zotuar se do t’i ndërpresë ato.

EC Ma Ndryshe nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Drejtoria e Inspektorateve ka siguruar lëndën përkatëse, në të cilën figuron se DUPH-ja më 3 prill 2013 ka njoftuar DI-në për marrjen e masave dhe ndalimin e punimeve të mëtutjeshme në këtë objekt, për shkak të shkeljeve urbanistike.

Paraprakisht, më 25 mars 2013, DI pas inspektimit në këtë objekt ka hartuar procesverbalin në të cilin kërkohet që të respektohet projekti, “ngase në të kundërtën pasojnë masat e parapara me ligj”.

DI më 2 prill 2013 merr aktvendimin me të cilin urdhërohet investitori që të ndërpres të gjitha punimet në mbindërtimin e katit të 6-të, ngase leja ndërtimore figuron të jetë B+P+6.

Më 4 prill, DI pas inspektimit të kryer në bazë të procesverbalit urdhëron që në afatin prej 1 ditësh të rrënohen punimet e kryera në katin e shtatë, pasi në të kundërtën pason ekzekutimi i detyrueshëm.

DI për këtë njofton edhe Policinë e Kosovës. Një ditë më pas DI me aktvendim tjetër nga investitori kërkon rrënimin/largimin e mbindërtimit dhe përkujton se “investitori edhe përkundër aktvendimit për ndalimin e punimeve dhe vendosjes së shiritave për pengimin e punimeve të mëtutjeshme të katit të shtatë, investitori në mënyrë vullnetare ka hequr shiritin dhe ka vazhduar punimet...”.

Vlen të theksohet se më 8 prill 2013 DI nxjerr konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të aktvendimit të datës 5 prill dhe thekson se ekzekutimi (rrënimi) i detyrueshëm do të zbatohet nga ky organ më 12 prill 2013.

Në të njëjtën ditë në zyrat e DI-së, investitori jep deklaratë se nuk do t’i vazhdoj punimet pa u pajisur me leje për tejkalimin e objektit. Po në këtë datë DI pranë Gjykatës Themelore të Prizrenit – Divizioni për Kundërvajtje procedon kërkesën për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër investitorit të objektit afarist-banesor në vendin e quajtur “Atmejdan” në rrugën “Tirana”, p.n., për shkak të ndërtimit të katit të shtatë pa leje përkatëse.

Ndërkaq më 11 prill 2013 në zyrat e DI-së në bazë të procesverbalit investitori jep deklaratën se ka filluar të rrënoj mbindërtimin në mënyrë vullnetare dhe thekson se DI-ja nuk ka nevojë që të vazhdoj procedurën e rrënimit të dhunshëm.

Përkundër kësaj mbindërtimi nuk është rrënuar dhe punimet në etazhin shtesë janë para finalizimit. Kjo vërteton se angazhimi i DI-së dhe deklaratat e investitorit kanë mbetur vetëm fjalë në letër. Gjithashtu është dëshmi për veprimet anemike të ekzekutivit komunal përballë shkeljeve të shumta tashmë të dokumentuara të kritereve urbanistike.   

EC Ma Ndryshe përsërit konstatimin se Qeveria komunale nuk është  e përkushtuar sa duhet në vënien e rregullit urbanistik brenda komunës së Prizrenit. Ekzekutivi lokal duhet të veproj në mënyrë energjike për të siguruar rregullsinë në fushën e ndërtimeve. 

EC Ma Ndryshe shumë herë ka shprehur shqetësimin me gjendjen e krijuar në fushën e urbanizmit, ku sipas DUPH-së rreth 80 për qind të ndërtimeve nuk i janë përmbajtur lejeve të ndërtimit dhe planeve rregulluese, si në Jeni Mëhallë, Lakuriq, Dardani, Prevallë, etj.

EC Ma Ndryshe përsërit thirrjen drejtuar kryetarit të komunës që urgjentisht të kërkoj nga DI-ja hartimin dhe publikimin e një liste të objekteve pa leje dhe me tejkalime që duhen rrënuar;

EC Ma Ndryshe rekomandon qeverinë lokale që sa më parë të nis procedurat për rrënimin e objekteve pa leje dhe me mbindërtime që nuk i janë përmbajtur planeve rregulluese urbane;

EC Ma Ndryshe fton hetuesinë dhe organet e drejtësisë që të trajtojnë në mënyrë serioze këtë çështje dhe të mundësojnë sundimin e ligjit në sferën e urbanizimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)