Komuna e Mitrovicës dhe Trepça realizojnë tri projekte
Mitrovicë, 29 korrik - Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe ndërmarrjes Trepça, do të realizohen tri projekte të ndryshme në Mitrovicë.
Kjo pas nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Mitrovicës dhe Departamentit për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Mjedisit të ndërmarrjes Trepça.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Mitrovicës, Bislim Imeri, tha se është fjala për rregullimin e fushës sportive Tenisi në Stan Tërg, mandej rregullimin e rrugës nga pishina deri te ajo fushë në një gjatësi prej 600 metrave si ngritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol.
Ai sqaroi se për këto projekte drejtoria ka ndarë 44 mijë euro, përderisa Trepça ka participuar me një shumë simbolike.
Ai tha se qëllimi i këtij memorandumi është mbështetja e komunitetit në vendet rurale si dhe punëtorët e Trepçës. Në veçanti do të krijohen kushte të mira për aktivitete rekreativo-sportive për minatorët.
Në anën tjetër, këto projekte i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe Ali Ahmeti, drejtor i Departamentit për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Mjedisit të ndërmarrjes Trepça.
Ai tha se Trepça ka marrë përsipër që pas rregullimit fushën e sportit ta lejoj të shfrytëzohet edhe për banorët që jetojnë aty, mandej do të kujdesen për pajisjet dhe sigurinë e saj.