Kina, prodhuesja me e madhe e arit në botë për 6 vjet me radhë
Pekin, 8 shkurt - Kina prodhoi sasinë më të madhe të arit në botë vitin e kaluar, duke u bërë prodhuesja më e madhe e metalit të çmuar për të gjashtin vit me radhë.
Vjet prodhimi i arit nga Kina u rrit me 11.66 për qind krahasuar me vitin 2011, duke arritur rekordin e 403.05 tonëve, deklaroi të mërkurën Shoqata Kineze e Arit. Kjo shifër është rreth 100 herë më e madhe se në vitin 1949, kur Kina prodhoi vetëm 4.07 tonë.
Arsyeja e kësaj rritjeje mendohet se janë politikat favorizuese të qeverisë, të cilat e kanë futur këtë sektor në binarët e rritjes së shpejtë dhe e kanë bërë industrinë kyçe në shumë prej zonave të nxjerrjes së arit, si ato në Shandong, Henan, Jiangxi etj.
Në vitin 2007 Kina e kaloi Afrikën e Jugut, duke u bërë prodhuesja më e madhe e arit në botë. Ajo është gjithashtu konsumuesja e dytë e arit në botë pas Indisë, me një sasi të përgjithshme 761.05 tonë në vitin 2011.