Kina lë prapa botën me trenat e shpejtë
Pekin, 16 shkurt - Kina pritet të zhvillojë një rrjet të jashtëzakonshëm prej 42 linjash me trena të shpejtësisë së lartë deri në vitin 2012, duke u bërë vendi me sektorin hekurudhor më të zhvilluar të botës, bëhet e ditur nga media ndërkombëtare.
Me një popullatë migratore prej qindra milionë njerëzish, qeveria kineze ka hasur në të shkuarën vështirësi të mëdha në transport, gjë që ka penguar edhe zhvillimin e vrullshëm ekonomik, por kjo situatë pritet të ndryshojë.
Në vitin e kaluar, qeveria kineze hodhi rreth 100 miliardë dollarë në ndërtimin e linjave të trenave të shpejtë, gjë që ka lehtësuar trafikun në linjat e trenave të zakonshëm. Së fundmi u përurua një linjë prej 1000 kilometrash që lidh krahinën e Guangzhout në bregun e jugut me Kinën Qendrore në më pak se tre orë, gjë që e bën atë linjën me shpejtësinë mesatare më të lartë në botë.
Por kjo është vetëm një nga 42 linjat e shpejtësisë së lartë që pritet të përfundojnë së ndërtuari deri në vitin 2012. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë shumë larg kësaj, pasi pritet të përfundojnë linjën e parë të shpejtësisë së lartë vetëm në vitin 2014, 150 kilometra.
Presidenti Obama deklaroi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara po mbeteshin prapa Azisë dhe Europës në ndërtimin e hekurudhave të shpejtësisë së lartë. Vendet e tjera nuk po presin, tha ai.
Ato kërkojnë punë. Kina kërkon këto punë e Gjermania gjithashtu. Në të vërtetë, rrjeti i trenave të shpejtë besohet se do ta bëjë Kinën edhe më konkurruese se sa është aktualisht në ekonominë botërore.
Përmes lehtësimit të transporteve, Kina mund të zgjerojë prodhimin e mallrave për eksport në zonat e brendshme. Një skemë e ngjashme i dha hov ekonomisë amerikane 50 vite më parë, kur u ndërtua rrjeti hekurudhor ndërshtetëror.