23 Dhjetor 2024

Kërkohet zbatimi i Ligjit për miniera dhe minerale

Prishtinë, 21 shtator - Zbatimi i Ligjit për miniera dhe minerale, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar nga  Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Debatin e udhëhoqi deputetja Sala Berisha - Shala, anëtare e Komisionit dhe kryesuese e grupit punues për implementimin e këtij Ligji.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, deputetja Berisha, vuri në spikamë rëndësinë e zbatimit të ligjit, ndërkaq, lidhur me takimin tha se qëllimi i tij është që të pikasin mangësitë dhe vakumet ligjore nga fusha e minerare.

Në vijim, fjalën e mori kryesuesi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) Musa Shabani, i cili vuri në dukje mangësitë e Ligjit, të cilat e bëjnë të pamundur zbatimin e tij në praktikë.

Sipas tij, Ligji për miniera dhe minerale, duhet harmonizuar me një sërë ligjesh të kësaj fushe, siç është Ligji për KPMM-në, Ligji për tokat dhe atë të pyjeve.

Ndër çështjet e tjera që paraqesin pengesë në zbatimin e Ligjit ai përmendi operimet ilegale, si dhe mungesën e masave parandaluese lidhur me to, ndërkaq, nënvizoi zonat e interesit (11 sosh), në të cilat është i ndaluar ushtrimi i veprimtarisë minerare.

\"Kosova nuk është aq e pasur sa që 30 % e sipërfaqes së saj, të shpallen zona të mbrojtura (parqe nacionale), duke i bërë të pamundura aktivitete minerare aty“, tha Shabani.

Se ligji ka mangësi të shumta u shpreh edhe Ahmet Bytyqi, ekspert i pavarur i kësaj fushe. Ai vlerësoi se duhet nxjerrë një varg aktesh nënligjore për të kompletuar infrastrukturën ligjore, e cila do të përmbushte nevojat e fushë veprimtarisë minerare.

Në emër të KEK-ut foli Pranvera Dobruna, e cila vlerësoi se Ligji duhet të parashohë një rregullator ekonomik, i cili do të balanconte interesat e faktorëve relevant që ushtrojnë veprimtari minerare.

Se Ligji duhet të harmonizohet edhe me ligjet e tjera ishte i mendimit edhe përfaqësuesi i fakultetit të gjeo-shkencave Naser Peci, i cili po ashtu vlerësoi se, Ligji duhet të jetë i përshtatshëm edhe për investitorët.

Në emër të MZHE-së foli Dukagjin Shala, i cili vuri në dukje aktet nënligjore të cilat Ministra i ka nxjerrë me qëllim të kompletimit të ligjit. Po ashtu ai njoftoi se Ministria deri metani nuk ka pasur kërkesë për plotësim-ndryshim të Ligjit për miniera dhe minerale.

Folën mëm pas edhe Kemal Zeqiri e  Selvete Graiqevci- Pllana (KPMM), si dhe  Gzim Terrnava (KEK) e Gani Maliqi nga kompania “Peshter Mining ISC”.

Në fund të takimit, deputetja Sala Berisha, kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet për ligjin t’i paraqesin edhe me shkrim, në mënyrë që të evidentohen saktë faktorët që pengojnë zbatimin e tij.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)