Kërkimet për naftë, më shumë burime në det se sa në tokë
Londër, 21 gusht - Çmimet e larta të naftës si dhe subvencionet e bollshme shtetërore i kanë dhënë një shtysë të fortë kërkimit të naftës në thellësi të mëdha oqeanike gjatë viteve të fundit, duke shënuar një rekord të rëndësishëm këtë vit, bën të ditur agjencia Reuters.
Zbulimi i fundit i kryer pak ditë më parë në oqean pranë Brazilit, bëri që burimet e reja të naftës të gjetura nga njeriu në det këtë vit të jenë më të shumta se sa zbulimet në tokë.
Puset e thellësive të mëdha hapen në zona detare që janë minimalisht 1500 metra të thella dhe mund të depërtojnë edhe shumë kilometra të tjera mes shkëmbinjve para se të mbërrijnë te burimi i arit të zi.
Aktualisht në botë ka një flotë prej 1200 platformash që përdoren për kërkim nafte në det dhe nga këto, 80 janë aktualisht duke hapur puse në dete më të thella se 2 mijë metra. Numri i kërkuesve të naftës në thellësi është shumëfishuar gjatë viteve të fundit.
Përveç kompanive multinacionale të mëdha si BP, Royal Dutch/Shell apo Chevron, janë edhe kompanitë shtetërore të Brazilit, Indisë e Meksikës, të cilat po kërkojnë thellë.
Vlerësohet se bota po shpenzon aktualisht 80 miliardë dollarë në vit për kërkime të thellësive të mëdha, katër herë më shumë nga sa shpenzohej një dekadë më parë. Arsyet që kanë sjellë këtë bum investimesh lidhen me dy faktorë të rëndësishëm: e para është se më shumë se tri të katërtat e burimeve të njohura të naftës në planet janë nën pronësinë e qeverive përkatëse dhe këto qeveri nuk lejojnë kompani të huaja ti shfrytëzojnë.
E dyta, qeveritë e vendeve të pasura nuk kanë dëshirë të jenë nën varësinë e burimeve të huaja energjetike dhe për këtë arsye financojnë kërkime të kushtueshme, kudo që munden.
Por gjatë dekadës së fundit, çmimet e naftës kanë qenë shumë të larta dhe kjo gjë ka shtyrë edhe kompani private të kërkojnë në thellësi të oqeanit.
Javën e fundit, Brazili bëri një zbulim kyç. Një pus u hap në oqean në thellësi 2,027 metra dhe arriti edhe 6,312 metra të tjera thellësi, për të mbërritur në një burim të rëndësishëm naftëmbajtës.
Kërkimet detare për naftë janë shumë të ndryshme sot nga 30 vjet më parë, kur Britania dhe Norvegjia hodhën hapat e parë në Detin e Veriut.
Inxhinierët në atë kohë e panë me dyshim idenë se duhej të shponin në thellësi detare të tilla ku njeriu nuk zhytet dot dhe ku presioni është më i lartë se sa në një bombol oksigjeni. Në atë kohë, një sukses i madh qe hapja e një pusi në det 140 metra të thellë dhe 400 metra nën tokë. Aktualisht pusi më i thellë detar në botë gjendet në brigjet amerikane në detin 3 mijë metra të thellë.
Vetëm presioni i ujit në këtë thellësi është mbi 4500 paund për inç katror (PSI). Në rezervuarët që gjenden edhe shumë kilometra të tjera më thellë, presioni arin në deri 18 mijë PSI.
Pavarësisht rreziqeve dhe vështirësive, suksesi ekonomik është i madh. Të dhënat tregojnë se burimet e reja të zbuluara në thellësi të ulëta, (shelfi kontinental), gjenden mesatarisht 21 milionë fuçi naftë ndërsa në burimet tokësore, madhësia mesatare e burimeve ka qenë gjatë viteve të fundit vetëm 12 milionë fuçi. Por në thellësitë e mesme, zbulimet kanë siguruar mesatarisht 55 milionë fuçi, ndërsa në thellësitë shumë të mëdha, zbulimi mesatar ka qenë 140 milionë fuçi.
Me çmim aktual mesatar prej 100 dollarësh për fuçi, vetëm një pus i thellësive të mëdha mban 14 miliardë dollarë naftë, e mjaftueshme kjo për të paguar të gjithë koston e kërkimit brenda një viti.