Këpucë Made in Drenica
Prishtinë, 25 mars - Fabrika e këpucëve Muli Shoes në Polac të Skënderajt është e vetmja fabrikë në rajonin e komunës së Skënderajt, e cila është ngritur me mjetët vetjake të familjes Gruda nga Polaci. Në fakt, në komunën e Skënderajt nuk ka edhe ndonjë ndërmarrje tjetër prodhuese, përveç Fabrikës së këpucëve në Polac.
Ilmi Gruda, drejtor, i cili më përpara është marrë me tregtinë e këpucëve, tha se deri me tani ka investuar në fabrikë mbi 100 mijë euro. Por, nga ky investim kanë përfituar 25 familje të varfra të rajonit të Drenicës, pasi që nga një anëtar i këtyre familjeve ka gjetur punë në këtë fabrikë. Kushtet e punës, janë jashtëzakonisht të mira.
Kemi filluar në marsin e vitit 2011, por tani jemi rritur dhe kemi arritur që ta zhvillojmë fabrikwn dhe kapacitetet prodhuese të saj. Momentalisht kemi të punësuar 25 punëtorë, tha Gruda. Ai shton se e ka ndihmuar edhe USAID-i amerikan.
Patëm aplikuar për 7 mijë euro, por me ofrimin e tri ofertave me çmime të ndryshme, mjaft të larta, për katër makina, që synonim ti sillnim nga Turqia, USAID-i na i shtoi edhe 3 mijë euro, kështu ato katër makina janë marrë nga Turqia me mjetet e USAID-it, thotë drejtori Gruda.
Fabrika ka angazhuar edhe dizajner dhe modelist nga Turqia, të cilët punojnë në fabrikë dhe të cilët përkujdesen për cilësinë e këpucëve.
Ata janë burrë e grua, me një përvojë të gjatë në këtë fushë, thotë drejtori Gruda.
Më e rëndësishmja për z. Gruda, është se tregun kosovar e ka të sigurt.
Ne punojmë me porosi. Nuk kemi probleme sa i përket plasimit të mallit në treg. Momentalisht kapaciteti ynë është 150 palë këpucë në ditë. Kemi pikat e shpërndarjes së mallit të prodhuar në të gjitha qytetet e Kosovës, përfshirë edhe pikën më të largët, Dardanën. Ndonëse deri tani kemi punuar vetëm me porosi, e që është një prioritet i madh, synojmë të prodhojmë këpucë edhe pa porosi, kjo është puna që duhet bërë në pajtim me të gjitha standardet dhe nevojat që ka tregu, pohon drejtori Gruda.
Por, këpucët Made in Drenica, të fabrikës Muli Shoes, së shpejti do të gjenden edhe në tregun e jashtëm.
Ne synojmë edhe tregun e jashtëm. Kemi pasur një prezantim në Zvicër, kemi vënë kontakte me biznesmenë të kësaj fushe dhe do të përpiqemi që kapucët tona ti plasojnë edhe në tregun e jashtëm, thotë Gruda.
Drejtori Gruda tha se nga komuna e Skënderajt nuk ka kërkuar ndihmë për ta ngritur fabrikën.
Fabrikën e kam ngritur me buxhetin familjar, dhe përveç të mirave materiale që i sjell familjes, përfitojnë edhe familje të tjera, të varfra të komunës së Skënderajt. Shumë familje në rajonin e Drenicës jetojnë në varfri të skajshme dhe ne përpiqemi që punëtorët ti marrim nga këto familje, ka përfunduar Ilmi Gruda.