Kallëzim penal kundër eksploatuesëve të rërës në Xërxë
Prishtinë, 20 qershor - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ushtruar kallëzim pendal kundër NTP Vëllezërit Morina, eksploatues të rërës dhe zhavorit nga fshati Xërxë i Komunës së Rahovecit.
Gjatë inspektimeve rutinore nga inspektorët e MMPH është konkluduar se operatori nuk ka zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjëve në gjithë territorin e Kosovës.
Gjatë vizitës inspektuese, ku të pranishëm ishin edhe inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, është kuptuar se operatori nuk posedonte licencën e punës nga KPMM.
Për më tepër, kishte refuzuar të japë informacion se nga ku është duke e marrë rërën të cilën më pas e përpunonte në seperatorin e tij.
Sipas inspektorëve nga MMPH ky operator përveç që aktivitetin e tij e ushtron në mënyrë ilegale, pa licencë nga MMPH dhe KPMM, gjithashtu ka shkaktuar edhe degradim të resurseve natyrore të Kosovës.
Ministria e Mjedisit u bën thirrje të gjithë operatorëve se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjëve në gjithë territorin e Kosovës dhe që ndalon degradimin e pariparueshëm të shtretërve dhe brigjeve të lumenjëve është në fuqi.
Secili operator që nuk posedon licencë nga KPMM dhe MMPH konsiderohet ilegal dhe ndaj tyre do të inicohen kallëzime penale.