Isa Mustafa: Trepça resurs kombëtar i Kosovës
Mitrovicë, 17 prill - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa sot qëndroi në Kompleksin Trepça në Mitrovicë, ku u takua me drejtuesit dhe me minatorët e Trepçës.
Kryetari Mustafa vizitoi edhe minierën e këtij kompleksi dhe aty u njoftua për kushtet e punës së minatorëve. Me këtë rast, ai vlerësoi lart rolin e minatorëve gjatë viteve më të vështira të Kosovës, duke theksuar se kanë qenë minatorët ata që kanë bërë kthesën e madhe të Kosovës drejt shtetit të pavarur.
Po ashtu, Kryetari Mustafa theksoi se Trepça meriton dhe do të ketë mbështetjen e plotë për ti ngritur kapacitetet dhe për tu bërë burim i zhvillimit ekonomik të mbarë Kosovës.
LDK-ja, vijoi ai, e ka nxitur dhe e ka përkrahur në Kuvendin e Kosovës ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, për ta hequr Trepçën nga lista e ndërmarrjeve që menaxhohen nga AKP-ja, për arsye se Trepça është resurs kombëtar i Kosovës dhe nuk guxon të rrezikohet nga privatizimi.