Irani refuzon ngrirjen e sasisë së prodhimit të naftës
Teheran, 18 shkurt - Irani hodhi poshtë propozimin për ngrirjen e sasisë së prodhimit të naftës. Ministrat e naftës të Venezuelës dhe Irakut ishin sot në Teheran në përpjekje për ta bindur Iranin të përqafonte një marrëveshje të arritur dje nga Rusia, Venezuela, Arabia Saudite dhe Katari për të ulur sasinë e naftës në treg në përpjekje për stabilizimin e çmimit të naftës.
Përfaqësuesi iranian pranë OPEC-ut tha sot se vendi i tij ka në plan të shtojë nxjerrjen e naftës për të arritur në nivelet e prodhimit para vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Komente të tilla vënë në rrezik marrëveshjen e arritur dje nga Arabia Saudite, Venezuela, Katari dhe Rusia për të ngrirë nivelin e prodhimit në mënyrë që të ulet oferta dhe të stabilizohen çmimet e naftës.
Marrëveshja përfaqëson një ndryshim të politikave saudite. Deri dje Riadi i ka mëshuar shtimit të ofertës në treg. Sauditët shpresonin se rënia e çmimeve të naftës si rezultat i ofertës së tepërt do ta bënte të pamundur për disa vende, si Shtetet e Bashkuara të konkurronin, duke i detyruar të braktisnin industrinë e naftës. Por rënia e vazhdueshme e çmimeve të naftës gjatë muajve të fundit solli dëme buxhetore për të gjitha vendet që varen në masë të madhe nga eksporti i naftës si Venezuela, Arabia Saudite dhe Rusia.
Nuk duam luhatje të mëdha në çmime. Nuk duam ulje të ofertës; duam që të përmbushim kërkesën dhe të stabilizohen çmimet, tha ministri saudit i naftës Ali al-Naimi.
Stabilizimi i ofertës në treg varet nga përqafimi i këtij propozimi nga të gjitha vendet kryesore prodhuese, ndër të cilët Irani është një lojtar i rëndësishëm në treg. Iranianët janë të interesuar të eksportojnë sa më shumë naftë, tani që u hoqën sanksionet perëndimore.
Ende pa u filluar takimi me përfaqësues të Venezuelës dhe Irakut, qëndrimi i Iranit ishte i qartë:
Është e qartë se në treg ka sufiçit nafte, por Irani nuk do të reduktojë pjesën e tij në këtë treg, tha ministri iranian i naftës Bijan Namdar Zangahen.
Çmimet e naftës janë aktualisht në nivelet më të ulëta në 13 vjet, si rezultat i prodhimit thuajse në nivele rekord dhe i rënies së kërkesës për rrjedhojë të ngadalësimit ekonomik të vendeve si Kina.