Investimet në ndërtim zënë pjesën kryesore të investimeve
Prishtinë, 28 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për herë të parë publikon të dhëna për Statistikat e Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2018.
Anketën për Statistikat e Investimeve në Ndërmarrje ASK-ja e ka zhvilluar për herë të parë në territorin e Republikës së Kosovës, në vitin 2019. Anketa është zhvilluar në ndërmarrjet që kanë deklaruar blerje investive në shumë vjetore mbi 20 mijë Euro.
Sipas rezultateve të kësaj ankete, investimet në ndërtim (ndërtesa dhe struktura të tjera ndërtimore) zënë pjesën kryesore të investimeve (68.73%).
Investimet e tjera, që zënë një pjesë të konsiderueshme janë ato në: makineri dhe pajisje (21.32%); produktet e pronësisë intelektuale (3.98%); investimet biologjike të kultivuara dhe serat në bujqësi (0.75%); si dhe investimet në asete të prekshme (jo të prodhuara) (5.23%).
Sipas madhësisë se ndërmarrjeve: 36.7% e investimeve janë realizuar nga ndërmarrjet mikro (1-9 punëtorë); 35.7% e investimeve në ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë); 20.9% e investimeve në ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë); dhe 6.7% e investimeve në ndërmarrjet e mëdha (250+, punëtorë).
Sipas rezultateve të anketës, ndërmarrjet në Rajonin e Prishtinës kanë realizuar përqindjen më të lartë të investimeve me 44.4 %; Rajoni i Ferizajt me 16.5%; Rajoni i Pejës me 14%; Rajoni i Prizrenit me 12.6%; Rajoni i Gjilanit me 8.8%; Rajoni i Gjakovës me 2.9%; dhe Rajoni i Mitrovicës me 0.8%.
Sipas burimit të fondeve për investime, rezultatet e anketës tregojnë se: 51.5% të vlerës së investimeve, ndërmarrjet i kanë realizuar nga fondet e veta; 21.6% nga kreditë bankare vendore; 19.2 % nga bashkinvestitorët vendorë; 3.2% nga bashkinvestitorët e jashtëm; dhe 4.5% nga format e tjera.