Inspektorët të obliguar për rujtjen lumenjve nga degradimi
Prishtinë, 5 janar - Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e menjëhershëm të eksploatimit të inerteve nga lumenjtë dhe hapësirat tjera përreth tyre, i obligon të gjitha institucionet qendrore dhe lokale.
Kështu u tha sot gjatë takimit të përbashkët, që u mbajt në Ministrinë e Mjedisit, me inspektorët komunal të 11 komunave dhe kryeinspektorin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Për tu implementuar në tërësi ky vendim, Sekretari i Përhershëm, Arben Çitaku tha se roli i inspektorëve komunal është jashtëzakonisht i madh.
Puna dhe angazhimi ynë i përbashkët do të jenë faktorët kryesorë për ta ndaluar përfundimisht degradimin e lumenjve tanë. Për këtë qëllim Qeveria e Republikës së Kosovës, në përgjithësi, dhe MMPH në veçanti, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në mënyrë që vendimi të zbatohet plotësisht, tha sekretari i përgjithshëm Arben Çitaku.
Naim Maloku, këshilltar i ministrit Z. Dardan Gashi, dhe një herësh koordinator për zbatimin e vendimit, tha se Kosova si shtet ka ardhur në një fazë kur duhet patjetër të merret me rehabilitimin e mjedisit, ngase lumenjtë në vendin tona janë degraduar tej mase.
Njëri ndër kushtet kryesore për inkuadrim në Bashkimin Evropian është mjedisi, prandaj me seriozitetin më të madh duhet ti qasemi implementimit të plotë të këtij vendimi, tha ai.
Në fund të takimit të gjithë inspektorët komunal u zotuan se de do të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e vendit e në veçanti me inspektoratin e MMPH-së dhe atë të KPMM-së.
Qëndrim i përbashkët ishte që vendimi i Qeverisë të zbatohet në tërësi dhe degradimi i lumenjve të ndalet përfundimisht.