23 Dhjetor 2024

Industria e Plastike, Gomës dhe Kimike janë në rritje

Prishtinë, 24 maj - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjegjësisht Departamenti i Industrisë prezantoi sot studimet e profileve të Sektorit të Industrisë Plastike dhe Gomës dhe të Sektorit të Industrisë Kimike, të cilat janë financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës dhe që është implementuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në kuadër të projektit ‘Ndihmë Tregtisë’.

Në fjalimin e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami theksoi se këto studime ofrojnë një vështrim sa i përket gjendjes aktuale të sektorëve në fjalë, duke pasqyruar zhvillimet dhe trendet e fundit në Sektorin e Industrisë Plastike dhe Gomës dhe në Sektorin e Industrisë Kimike.

“Studimet japin një vlerësim të faktorëve relevantë, që ndikojnë në rritjen e produktivitetit duke përfshirë dhe sfidat dhe përparësitë me të cilat ballafaqohen këta dy sektorë të industrisë. Analizat tregojnë se në Kosovë, këta dy sektorë të industrisë janë në rritje, si për nga aspekti i shitjeve ashtu edhe nga aspekti i gjenerimit të punësimit.

Po ashtu, ministrja Bajrami potencoi se firmat e anketuara kanë treguar tendenca të raportojnë për rritjen e numrit të punësimeve gjatë viteve të fundit.

“Gjysma e kompanive aktuale në këto dy sektorë janë krijuar para pak më shumë se tri vitesh, e që janë të përqendruara kryesisht në rajonin e Prishtinës. Shumica dërmuese e kompanive kanë filluar të eksportojnë pas vitit 2010”, tha ajo, duke bërë me dije se këta sektorë janë me perspektivë, dhe kanë potencial. “MTI është duke hartuar strategjinë për zhvillimin e sektorit privat prandaj këto studime janë të rëndësishme dhe po e rrumbullaksojnë edhe ciklin e studimeve të mëhershme mes UNDP-i dhe Qeverisë së Finlandës” – shtoi ajo.

Ministrja Bajrami foli edhe për ndikimin e MSA-së për të cilën tha se nëse i referohemi MSA-së, të cilën kemi filluar ta zbatojmë që nga fillimi i muajit prill, pa dyshim se duhet të konsiderohet si një zhvillim pozitiv, për faktin se ne presim që MSA-ja në një afat të mesëm të ndikojë ndjeshëm në rritjen e prodhimit, punësimit dhe përgjithësisht në rritjen e të hyrave për ekonominë tonë.

“Prandaj, këta sektorë ne i shohim si potencial dhe me premisa për të përfituar nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, duke u bërë më konkurrentë dhe duke rritur më shumë potencialin e tyre për eksport. Këta dy sektorë të industrisë në vend kanë kapacitete të kënaqshme prodhuese dhe produktet nga kjo kategori janë të mbrojtura për një periudhë 5 dhe 7 vjeçare sipas Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, ndërsa për të njëjtat produkte BE-ja i ka hequr Kosovës tarifat doganore për eksportin e tyre në tregun e BE-së”, shtoi ministrja Bajrami.

Në fund, ministrja Bajrami ritheksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i mirëpret studimet e tilla, sepse këto ndihmojnë në aspektin e identifikimit të nevojave, adresimit të sfidave dhe adoptimit të politikave adekuate për zhvillimin e këtyre sektorëve të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)