Honi Center Ensar, synon ngritjen e kapaciteteve të prodhimit
Mitrovicë, 7 prill - Në Komunën e Mitrovicës, krahas bizneseve tjera, në masë të madhe është duke iu kushtuar rëndësi edhe zhvillimit të bletarisë, biznes ky që në shumicën e rasteve fillon si ekonomi familjare, ndërkaq pason me biznes më të gjerë, duke reflektuar edhe në punësim.
Këto ditë, drejtori i bujqësisë në komunën e Mitrovicës, Nasuf Aliu, i ka bërë një vizitë, biznesit të Valbona Sadikut, që ndodhet në fshatin Shupkovc. Ajo ka filluar të merret me bletari që nga viti 2005, ndërkaq tani numëron 126 koshere bletësh, prej të cilave, varësisht nga kushtet atmosferike dhe rrethanat tjera, nxjerr nga 850 deri në 2.000 kg mjaltë.
I kemi tri lloje të mjaltës të cilën e shesim, dy lloje janë medikamente, si lloj antibiotiku, që përdoret në fushën e shëndetësisë dhe një lloj natyral i mjaltës, thotë zonja Sadiku.
Ajo tha se për bletët kujdeset familja e saj, mirëpo kur ka nevojë angazhohen edhe punëtorë sezonal, ndërkaq caku i tyre i furnizimit janë bletarët.
Mirëpo, në kuadër të biznesit të saj, ajo ka edhe një plan më madhor, që e dallon nga bletarët tjerë, por për zbatimin në praktikë të këtij plani, i cili aktualisht është vetëm në letër, kërkon edhe mbështetjen e të tjerëve.
Biznesin e saj Honi Center Ensar, ajo planifikon ta vazhdoj në një qendër për grumbullimin dhe përpunimin e produkteve nga mjalti.
Projekti ka për qëllim zhvillimin e bletarisë si sektor strategjik dhe me rëndësi për zhvillimin e ekonomisë në komunën tonë, ngritjen e kapaciteteve në aspektin e prodhimtarisë me standarde të larta, rritjen e cilësisë së produkteve nga mjalti, rritjen e të hyrave vjetore dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike, thotë Sadiku.
Projekti në fjalë kap shumën prej 24.705 euro, e cila shumë është e papërballueshme për pronaren e fermës së bletarisë. Për këtë arsye ajo i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Bujqësisë, për mundësi përkrahje deri në 50% të projektit.
Sodiku bënë të ditur se në fazën e parë të projektit, është përkrahur nga Ambasada e Britanisë së Madhe, me një makinë për prodhimin e pogaçes (kulaqit), e cila ka kushtuar 21.980 euro.
Kurse, në fazën e dytë është ndihmuar nga Caritas Kosova dhe Caritas-i Belg, me një centrifugë moderne elektrike, në vlerë prej 650 euro.
Projekti ka ngelur në fazën e tretë, që ka të bëjë me ndërtimin e objektit dhe po besoj se do të gjej përkrahjen nga Komuna e Mitrovicës. Konsideroj se realizimi i këtij projekti është i arsyeshëm, ngase kjo veprimtari kontribuon në furnizimin e tregut me mjaltë, dyllë, propolis, pogaçe, prodhimin e amave, me vlerë të madhe në tregun e Kosovës, theksoj Sadiku, duke shtuar se me aktivizimin dhe rritjen e prodhimit, do të punësohen edhe disa persona, duke ndihmuar dhe përvetësuar kështu përvojën e prodhimit bletar.
Drejtori, Aliu, tha se drejtoria të cilën ai e udhëheq, ka për qëllim që në përgjithësi tu ofroj mbështetje direkte bizneseve, por edhe të angazhohet në promovimin e tyre.
Duke u ndërlidhur me projektin e zonjës Sadiku, ai tha se Drejtoria e Bujqësisë posedon një buxhet prej rreth 15.000 euro, për sektorin e bletarisë dhe në kuadër të përkrahjes së bizneseve, do të shqyrtohet mundësia e mbështetjes së këtij projekti.