23 Dhjetor 2024

Hidromorava bëhet me objekt të ri të administratës

Prishtinë, 22 nëntor - Qeveria është e angazhuar në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe kontributi i MZHE-së prej 500 mijë eurosh për objektin e ri të administratës së Kompanisë Rajonale të Ujërave “Hidromorava” është një kontribut modest në kontekstin e nevojave që i ka rajoni i Gjilanit, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri në ceremoninë e inaugurimit të objektit të ri të KRU “Hidromorava”, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemal Mustafa, kryeshefja ekzekutive e “Hidromorava”, Myrvete Hoti dhe drejtues dhe punonjës të kësaj kompanie, ku nënvizoi simbolikën e këtij investimi në prag të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kreu i MZHE-së ka vlerësuar me këtë rast angazhimin e Agjencionit Zviceran për Zhvillim SDC, i cili ka investuar mbi 8 milionë euro në Kosovën juglindore për përmirësimin e cilësisë së ujit, furnizimin me ujë dhe menaxhim e ujërave, nga të cilat rreth 2 milionë euro ka përfituar Gjilani.

Ministri Beqaj ka përmendur anëtarësimin e Kosovës në BERZH, duke shtuar se kjo e bën vendin të barabartë me 66 shtetet, të cilat janë anëtare të kësaj banke, gjë që i hapë rrugën edhe për projekte tona publike.

“Qeveria nganjëherë e ka problem për t’i realizuar nevojat shumta, andaj i bëj ftesë sektorit privat, ndërmarrjeve të bëjnë shumë projekte të analizuara mirë, të vijnë dhe t’i prezantojmë së bashku sepse do të kemi mundësi për të përfituar fonde zhvillimore për të cilat Kosova ka nevojë”, tha Beqaj.

Ai ka përsëritur se Kosova është stabile në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe vendi shërben si model për makrostabilitet ekonomik, ndërkaq ka theksuar se Qeveria është duke kryer obligimet të cilat sektori privat nuk mund t’i bëjë siç janë infrastruktura, uji  mbledhja mbeturinave, trajtimi i tyre, korniza ligjore, ndërsa sektori privat do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik.

Kryetari i Komunës të Gjilanit, Qemal Mustafa  tha se inaugurimi i këtij objekti është një akt i rëndësishëm sepse po ndodh në vigjilje të përvjetorit të 100 të Pavarësisë së Shqipërisë dhe në prag të 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është një akt përparimi në vendin e duhur. Ai ka falënderuar MZHE-në për mbështetjen dhe donatorët që kanë mundësuar zhvillimin e kësaj kompanie.

Nga ana  e saj, Myrvete Hoti - kryeshefe ekzekutive e KRU “Hidromorava” Gjilan, ka falënderuar MZHE-në dhe donatorët për ndihmën që i kanë dhënë kësaj ndërmarrje deri më tani, ndërsa ka shtuar se objekti i ri do të përmirësojë dukshëm kushtet e punës në këtë ndërmarrje.

Në kuadër të qëndrimit në Gjilan, ministri Beqaj ka vizituar kompaninë e prodhimit dhe përpunimit të produkteve ushqimore “ASK Foods” në Livoç të Poshtëm, me ç’rast është pritur nga menaxheri i saj, Erton Namoni me bashkëpunëtorë.

Beqaj është informuar nga drejtuesit e saj me afarizmin e suksesshëm të kësaj kompanie, ndërsa ka ritheksuar orientimet e Qeverisë për t’i krijuar sektorit privat një mjedis të favorshëm biznesor për zhvillim. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)