Hapet zyra që lehtëson procedurat për leje ndërtimore
Qëllimi i kësaj marrëveshje është që palëve të cilat aplikojnë për leje ndërtimi t\'iu lehtësohet procedura dhe të aplikojnë në një zyrë të vetme në Komunën e Prishtinës (One Stop Shop) e jo si deri më tani, që pëlqimin ta kërkojnë edhe veçmas në KEDS dhe në KUR Prishtina.
Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është shprehja e vullnetit të ndërsjellë ndërmjet Komunës së Prishtinës, KUR Prishtina dhe KEDS, për krijimin dhe menaxhimin e një zyre të vetme shërbyese për lëshimin e lejeve ndërtimore në Komunën e Prishtinës.
\"Qëllim tjetër i kësaj marrëveshjeje është edhe formalizmi i bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve të përbashkëta të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë së Ujësjellësit dhe asaj KEDS, për unifikimin dhe krijimin e sistemit për marrjen e pëlqimeve për lëshimin e lejeve ndërtimore në një zyre të vetme shërbyese\".
Agani shtoi se në funksion të arritjes së këtij qëllimi, Komuna e Prishtinës do të udhëheqë procesin dhe do të koordinojë aktivitetet dhe procedurat me KUR \"Prishtina\" dhe KEDS.
Në emër të Komunës së Prishtinës marrëveshjen e nënshkroi kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili u shpreh se kjo është edhe një lehtësim në të mirë të qytetarëve, të cilët tash e tutje do të kursejnë kohë dhe të gjitha shërbimet lidhur më këtë procedurë, do t\'i kryejnë në Komunën e Prishtinës.
Kjo zyrë do ta na mundësojë një adresë, ku qytetari do të mund të drejtohet për të gjitha shërbimet... Na mundëson që procesi të mos jetë i fragmentuar si më herët. Mendoj që është njëri prej hapave më të mirë në drejtimin e duhur për ta thjeshtësuar gjithë procesin për qytetarët, ka thënë Ahmeti.
Ilir Abdullahu, kryeshef ekzekutiv i KUR \"Prishtina\", ka thënë se kjo marrëveshje së pari është në të mirë të konsumatorëve që ata të mos bëjnë lëvizje nga Komuna nëpër kompanitë e tjera që të pajisen me leje, e kjo do të jetë një lehtësim shumë i madh si për qytetarët ashtu edhe institucionet.
Besojmë që këto lloj marrëveshje të bëhen edhe në të ardhmen për arsyeje e them nganjëherë që lëvizjet apo marrja e kohës gjatë furnizimit me leje, qofshin ato leje urbane, leje apo pëlqime paraprake apo pëlqime për kyçjen në procedurën tonë do të jetë një ndihmesë shumë e madhe dhe shpresojmë që që kjo do të shkojë në të mirë të konsumatorëve, ka thënë Abdullahu.
George Karagutoff, drejtor ekzekutiv i KEDS, tha se ky memorandum i nënshkruar sot është një hap për bashkëpunim të ngushtë mes konsumatorëve dhe qeverisë.
Përmes kësaj marrëveshje për qytetarët do të sigurohen shërbime më të shpejta dhe të koordinuara mes institucioneve, shtoi Karagutoff.