Hapet fabrika e çantave në Gjakovë
Gjakovë, 29 korrik - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila së bashku me Ambasadorin e Italisë në Kosovë Michael Giffon mori pjesë në inaugurimin e fabrikës Key One e cila ka filluar prodhimin e çantave për eksport, investim ky i cili u realizua me ndihmën e Agjencisë për Promovim të Investimeve.
Ministrja Kusari Lila tha se një nga fokuset e politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës është nxitja e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe promovimin e investimeve.
Ky është një nga investimet që kemi qenë në kontakt nga dita e parë, kemi kaluar në një proces jo të lehtë, por jam shumë e kënaqur që së bashku me Ambasadën e Italisë dhe pronarët e kompanisë, Doganat e Kosovës dhe institucione tjera kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, I cili sjelli rezultatin që jemi mbledhur sot këtu theksoi ajo.
Ndërsa, Ambasadori i Italisë, Michael Giffon tha se ky investim është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari Lila.
Ai përmendi konferencën për promovimin e investimeve të mbajtur vitin e kaluar në Romë, e cila tanimë ka sjell shumë kompani italiane që e shohin Kosovën si vend ku mund të investohet.
Më tutje Drejtori i Fabrikës Italiane Key One Sandro Santarmaria tha se momentalisht ka të punësuar 15 punëtor në fabrikë dhe se vetëm kanë eksportuar një numër të konsiderueshëm të çantave në Itali për kompaninë The Brigde.
Ai tha se vitin e ardhshëm kanë parashikuar të punësojnë 80 punëtor, por meqë ky lloj profesioni kërkon trajnime të posaçme, rekrutojnë vazhdimisht punëtorë të rijnë.
Fabrika Key One, është tanimë në biseda të afërta për prodhimin e çantave për markat e mirënjohura si Max Mara, Prada, Burberry dhe kompani tjera.