23 Dhjetor 2024

Hapet ekspozita e makinave të padëmshme për mjedisin

Tokio, 5 dhjetor - Në tregun botëror të automjeteve ka filluar një garë për makina që konsumojnë pak karburant. Prodhuesit shpresojnë që këto tipe makinash do t’i japin një shtysë të re shitjeve në tregun e makinave. 

Një pjesë e këtyre makinave janë paraqitur në këtë ekspozitë të re që u hap dje në Tokio.

Ndërsa tipet e makinave ekologjike janë mbizotëruar kryesisht nga modeli Prius i Tojotës, që punon me karburant dhe elektrik  dhe nga modeli Leaf i Nisanit, vetëm me elektrik, të dyja këto kompani po prodhojnë makina jo vetëm ekologjike por edhe tërheqëse përsa i përket dizenjos.

Carlos Ghosn, drejtor i kompanisë Nisan, thekson lidhjen mes makinave dhe infrastrukturës për to.

“Ka kaluar koha kur prodhuesit përqëndroheshin vetëm tek modeli i makinës”.

Duke treguar prodhimet më të fundit të Nisanit, ai thotë se ato nuk janë thjesht një fantazi dizenjimi, por zgjidhje praktike transporti për shoqëritë urbane, ku banesat dhe komunitetet zhvillohen duke patur parasysh ruajtjen e mjedisit.”

Varianti i përmirësuar i makinës elektrike me pamje futuriste, i quajtur Pivo 3, niset vetë, i gjen po vetë vend-parkimet, e karrikon vetë baterinë dhe madje vjen të merr vetë sapo e thërret me telefon.

Në rreth një dekade, makinat elektrike pritet të përbëjnë deri në 10 për qind të tregut, ndërsa shtohen shqetësimet lidhur me ngrohjen globale dhe qeveritë në Shtetet e Bashkuara, Japoni, Europë dhe Kinë, nxisin shitjen e tyre, thotë Carlos Ghosn.

Ndërkohë, firma Toyota, prodhuesi më i madh i makinave në Japoni, paraqiti në ekspozitë 5 modele të reja. Për gjigandin e prodhimit të makinave, e veçanta ishte varieteti i makinave. Një nga këto modele është FCV-R, që përdor si burim energjie hidrogjenin dhe pritet të dalë në treg në vitin 2015. Një tjetër model, i cili do të dalë në treg vitin e ardhshëm, është FT-EV III, një makinë elektrike, që shërben për distanca të shkurtëra.

Me shpresën për të tërhequr blerës më të rinj në moshë, duke i bërë makinat më tërheqëse, Toyota, ka paraqitur në ekspozitë makinën sportive të ngjashme me atë vitit ’86.

“Kur flasim për makinën e së ardhmes, nuk kemi parasysh që ajo të jetë hibride, apo elektrike. Klientët do ta bëjnë vetë zgjedhjen dhe ajo nuk do të kufizohet vetëm tek një model makine. Unë mendoj se ka vend për makina të ndryshme, me avantazhe të ndryshme”.

Prodhuesit japonezë të makinave e kanë patur të vështirë vitet e fundit, për shkak të problemeve me imazhin e kompanisë pas disa difekteve që i detyruan klientët t’i kthejnë makinat e tyre me probleme.

Një tjetër pasojë negative ishin fatkeqësitë natyrore të marsit në Japoninë verilindore. Por teknologjia e gjelbër mbetet një pikë e fortë shitjeje për Tojotën që ishte e para që filloi prodhimin e makinave hibride me benzinë dhe elektrike, modelin e sukseshëm PRIUS.

Por, me modelet hibride, ato elektrike, elektronike dhe me bateri dhe shumë lloje të tjera që mund të prodhohen në të ardhmen, cili do të jetë drejtimi i gjeneratës së ardhshme të makinave të padëmshme për mjedisin? Koji Endo, analist në Institutin kërkimor japonez, thotë se megjithë reklamën dhe bujën e madhe, pret që makinat hibride të qëndrojnë tani për tani në nivelin e tanishëm.

“Pas 10 vjetësh, ose ndoshta edhe më tutje, duket se makinat elektrike po tërheqin më tepër vëmendje nga ana praktike. Njëkohësisht, ka për të patur makina të padëmshme për mjedisin, të cilat punojnë me bateri, ose me tipe më të avancuara diezeli. Por fokusi vazhdon të jetë tek makinat hibride”, - thotë analisti i Tojotës.

Në ekspozitën e makinave në Tokio një numër kompanish, si Fordi amerikan nuk u paraqitën, ndërsa General Motors u paraqit vetëm me një numër të kufizuar modelesh. Por në ekspozitë u paraqitën një numër priodhuesish evropianë të makinave, si Volxvagen, AG dhe BMW.

Këtë vit, organizatorët shpresojnë të tërheqin mbi 800 mijë vizitorë, duke e hapur ekspozitën në Tokio, për herë të parë në 24 vjet.  Ekspozita e makinave e Tokios do të qëndrojë hapur nga 3 deri më 11 dhjetor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)