Greva e minatorëve të Bulqizës, u rrezikohet jeta
Tiranë, 3 gusht - Në Shqipëri, ka hyrë në ditën e nëntë greva e minatorëve të Bulqizës ndërsa nuk ka ende asnjë marrëveshje me kompaninë austriake \"ACR\" e cila ka marrë me koncesion minierën.
Sot një prej grevistëve u dërgua me urgjencë në spital pasi shfaqi probleme serioze të frymëmarrjes si dhe shqetësime në zemër.
E rënduar paraqitet gjendja shëndetësore edhe e 14 minatorëve të tjerë, të ngujuar në një galeri rreth 1400 metra nën tokë.
Minatorët kërkojnë ndër të tjera rritjen e pagës mujore, përmirësimin e kushteve të punës, dhe uljen e moshës së pensionit.
Kompania ACR tha se ka pranuar kërkesën fillestare për rritjen me 20 përqind të pagës duke premtuar përmirësimin e kushteve të punës dhe investime në minierë.
Por minatorët tanimë kërkojnë që paga të rritet 40 përqind dhe se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e të gjithë kërkesave të tyre.