Greqia kërkon naftë në Jon
Athinë, 12 shtator - Kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka paralajmëruar fillimin e kërkimeve për naftë dhe gaz në detin Egje dhe Jon.
Gjatë një ceremonie të organizuar në Selanik në kuadër të panairit ndërkombëtar të këtij qyteti, Papandreu deklaroi se shumë shpejt do të fillojnë kërkimet në det me qëllim përfitimin e pasurive natyrore për qytetarët grekë, që sic tha, meritojnë të përfitojnë atë që natyra i dha vendit të tyre.
Papandreu njoftoi se tashmë mbetet vetëm fillimi i punës në zonat në të cilat mendohet se janë naftë-mbajtëse. Fillimisht kërkimet pritet të nisin në zonën e quajtur Katakolos, në jug-perëndim të Peloponezit, për të vazhduar më pas në Gjirin e Prevezës në veri-perendim.
Kërkime do të kryhen edhe në jug të Kretës, ndërsa në fund të shtatorit, parashikohet nisja e tyre në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros dhe Izraelit.
Fillimi i kërkimeve në Egje duket se ka vënë përballë Turqinë me Izraelin në një situatë, që sipas analistëve mund të acarojë edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Një zonë ku mendohet se fshihen shtresa të pasura naftë-mbajtëse, është edhe ajo në veri të ishullit të Korfuzit deri në Karaburun. Pra pikërisht, pjesa që qeveria shqiptare i fal Greqisë me paktin e detit.
Pak kohë më parë, Top Channel kishte zbuluar se pikërisht kjo zonë konsiderohet si saraçineska e naftës në Jon. Ajo ndodhet në një distancë të afërt gjeografike me fushën naftë-mbajtëse të Marinzës dhe Ballshit në vendin tonë dhe pllakat tektonike lejojnë nxjerrjen e naftës me kosto më të ulët.
Mbi ekzistencën e rezervave naftëmbajtëse atje, qeveria shqiptare ka qenë e informuar prej sovjetikëve që në vitet 60-të, por nxjerrja e këtyre rezervave konsiderohej si tepër e vështirë për shkak të mungesës së teknologjisë së përshatshme në thellësi mbi 1000 metra që ato ndodhen.
Në zonën e Jonit, rezerva e naftës llogaritet në 4 miliardë fuci, por pak më pak se gjysma e saj mund të nxirret. Por edhe kjo sasi, nëse shfrytezohet do të zgjidhe për shumë vite problemet ekonomike të vendeve si Shqipëria dhe Greqia.
Burime të mirëinformuara nga Ministria e Jashtme greke i thanë Top Channel se pala greke ka përgatitur kuadratet e zonave të kërkimit dhe i ka vënë ato në dispozicion të kompanive të interesuara. Më favorite është një kompani amerikane e cila ka shfaqur interesin e saj që prej kohësh edhe pranë qeverisë shqiptare.