Gjermania ndihmon me 1,5 miliardë euro Opel-in
Berlin, 10 shkurt - Koncerni i prodhimit të automjeteve Opel do të shkurtojë në Evropë 8.300 vende pune.
Sipas të dhënave të shefit të koncernit Nick Reilly gjatë prezantimit të konceptit për rimëkëmbjen në Frankfurt mbi Main të prekur janë 1.300 vende pune në administratë dhe 7.000 në prodhim.
Vetëm në Gjermani preken nga shkurtimet rreth 3.900 vende pune. Reilly njoftoi në të njëjtën kohë që koncerni mëmë General Motors dëshiron të investojë në pesë vitet e ardhshme 11 miliardë euro tek Opeli dhe në markën motër Vauxhall.
Sipas Reilly-t, Gjermania do të marrë pjesë me një ndihmë shtetërore prej 1,5 miliardë eurosh. Paratë do të merren nga i ashtuquajturi \"Fondi i Gjermanisë\", që qeveria e kishte krijuar në kohën e krizës për sipërmarrjet nevojtare.