Gjermanët interesohen për trajtimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Sfarqa, ishte sot mikpritës i kryetarëve të njëmbëdhjetë komunave të pjesës juglindore por edhe të pjesës qendrore të Kosovës, në një takim me përfaqësues të firmës gjermane MED|SORGA dhe partnerëve të saj, e cila merret me ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe me ndërtimin e deponive për trajtimin e mbeturinave.
Menaxheri i projekteve në MED|SORGA, Uwe Repke dhe partnerët e tij, paraqitën vizuelisht pajisjet, sistemet, impiantet dhe teknikat e projekteve të realizuar në shumë pjesë të botës dhe mënyrën e funksionimit të tyre.
Ata thanë se, nëse udhëheqësit e komunave bien dakord, do të mund të nënshkruhej në memorandum bashkëpunimi, mbi bazën e të cilit kjo firmë do të kërkonte fonde në institucionet e Bashkimit Evropian, për të siguruar 85 për qind të investimeve, të cilat do të siguronin trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave, kryesisht në komunat e rajonit të lindjes. Pjesa tjetër e fondeve do të sigurohej nga taksat e mbeturinave.
Sipas Repke, ka mundësi që BE-ja të japë mbështetje financiare për projekte të tilla, nëse ato janë të përgatitura mirë dhe të zbatueshme.
Ndërsa kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, bëri të ditur se bëhet fjalë për një firmë serioze, e cila është shquar me realizimin e shumë projekteve të ngjashme në vende të ndryshme të botës.
Ai tha se komunat e përfshira në këtë çështje duhet të pajtohen për veprim dhe bashkëpunim të ngushtë, si dhe për marrjen e obligimeve nga secili kryetar për të pjesën e vet të detyrave. Sfarqa tha se e vetmja gjë që mund të ofrojnë aktualisht komunat, është caktimi i lokacioneve për ndërtimin e kapaciteteve trajtuese të ujërave të zeza e mbeturinave.
Mikpritësit dhe përfaqësuesit e firmës MED|SORGA, u dakorduan që brenda një kohe të shkurtër ta kenë gati memorandumin, pasi komunat të kenë plotësuar një pyetësor, i cili sqaron hollësi të kushteve dhe të punës së përbashkët në të ardhmën.