Gjendja në Trepçe është e rënduar si rezultat i keqmenaxhimit
Prishtinë, 4 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin e Sindikatës së Punëtorëve të Kombinatit Trepça, shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi, ministrja e MEPTINIS, znj. Rozeta Hajdari, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, këshilltarit të MEPTINIS, Getoar Mjeku, si dhe z. Nazmi Mikullovci, ish-drejtor i ndërmarrjes Trepça Sh. A.
Ndërsa delegacioni Trepça Sh. A. përbëhej nga Gani Osmani, kryetar i Sindikatës, Xhevat Kaqiku, nënkryetar, si dhe anëtarët e kryesisë, Lahë Hetemi, Refik Mehmeti, Eset Meha dhe Refik Beqiri. Ishte i pranishëm edhe z. Shyqyri Sadiku, drejtor i prodhimit në Minierën e Stan Tergut.
Mes bashkëbiseduesve u trajtua rëndësia e kombinatit të Trepçes, rivitalizimit të prodhimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
Gjendja në Trepçe është e rënduar si rezultat i neglizhencës dhe keqmenaxhimit që prej pasluftës.
Të dy palët u pajtuan se është urgjente të vazhdohet puna për gjetjen e modelit dhe zbatimin e vendimeve që fillimisht do të përmirësojnë gjendjen, me qëllim që të arrihet rentabiliteti dhe qëndrueshmëria financiare e që Trepça të bëhet kontribues i zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.