Gazpromi ndërpret gazin për Ukrainën
Moskë, 17 qershor - Kompania gjigande ruse e energjisë Gazprom ndërpreu furnizimet e gazit për Ukrainën pas dështimit të Kievit për të paguar sot, sipas afatit kohor, rreth dy milard dollarë borxhe të shkuara.
Në përputhje të plotë me kontratën, vendimi është marrë dhe sot duke filluar nga ora 10 e mëngjesit me kohën e Moskës, Naftogazi i Ukrainës do të marrë gaz sipas volumit të paguar. Deri tani, asnjë lloj pagese e borxheve të vjetra ose e faturave të qershorit nuk është bërë. Në të gjithë diagramët, ne shohim shifrën zero, thotë Sergei Kuprianov, zëdhënës i Gazpromit.
Gazpromi thotë se Ukraina tani duhet të bëjë pagesa paraprake për gaz pasi nuk ka arritur të paguajë në kohë.
Gjithashtu të hënën, Gazpromi ngriti padi në një gjykatë arbitrazhi në Stokholm, në përpjekje për të detyruar Ukrainën të paguajë gjithë sasinë e borxhit prej 4,5 miliard dollarësh.
Ukraina është një kanal lidhës për furnizimet me gaz të pjesëve të tjera të Evropës.
Gazpromi njoftoi se dërgesat për vendet evropiane nëpërmjet Ukrainës nuk do të preken, por paralajmëroi, se mund të ketë ndërprerje në qoftë se Ukraina vendos të marrë për nevoja të vetat nga ky gaz. Një zëdhënës i Gazpromit tha se kompania shtetërore e Ukrainës, Naftogaz, është e detyruar të garantojë që gazi do të arrijë tek klientët e saj evropianë.
Rusia dhe Ukraina janë përfshirë në mosmarrëveshje rreth energjisë, që në prill kur Moska gati dyfishoi çmimin e gazit për Ukrainën në 480 dollarë për 1,000 metra kub.
Pas kësaj, Rusia ka ofruar një ulje prej 20 për qind, por negociatorët e Kievit kanë kërkuar një ulje më të madhe, më afër çmimit të mëparshëm.
Mosmarrëveshja e energjisë është pjesë e një krize më të madhe gjeopolitike, që nisi më herët këtë vit me rrëzimin e presidentit ukrainas të mbështetur nga Rusia.
Moska u kundërpërgjigj javë më pas duke aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, pavarësisht protestave të shumta nga qeveritë perëndimore.
Bisedimet 11-orëshe të së dielës për energjinë filluan ndërsa Ukraina mbylli një ditë zie kombëtare për 49 ushtarakët e vrarë kur avioni i tyre u rrëzua të shtunën nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se avioni Ilyushin-76 po bëhej gati të ulej në aeroportin Luhansk kur u rrëzua.