Gazprom fillon ndërtimin e një gazsjellësi drejt Turqisë
Moskë, 9 dhjetor - Gazprom njoftoi sot krijimin e kompanisë që do të merret me ndërtimin e një gazsjellësi të ri drejt Turqisë, me të cilin shpreson të zëvendësojë projektin e South Stream drejt Evropës që u braktis javën e kaluar.
Kompania do të regjistrohet në Shën Peterburg, procedurat e nevojshme filluan sot në mëngjes, njoftoi zëdhënësi i kompanisë Serguei Kouprianov në një komunikatë.
Kompania do të quhet Gazprom Rousskaia, ku emri rrjedh nga stacioni i pompimit në fillim të gazsjellësit, Rousskaia, shtoi ai.
Gjatë një vizite në Turqi më 1 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin kishte njoftuar fundin e projektit South Stream që ishte duke u ndërtuar mes Rusisë dhe Italisë nëpërmjet Detit të Zi dhe jugut të Evropës.
Ky gazsjellës që kapte vlerën e 16 miliardë eurove u luftua, kryesisht në Bullgari, nga BE-ja që e kritikonte se nuk respektonte legjislacionin e saj energjetik, një mosmarrëveshje që u rrit edhe me krizën ukrainase.
Por Rusia synon të ndërtojë një gazsjellës të ri drejt Turqisë, të cilën e furnizon tashmë nëpërmjet Detit të Zi me gazsjellësin, Blue Stream, duke e shndërruar këtë të fundit në një vend të rëndësishëm për tranzitin e gazit rus.