Funksionalizohet rrjeti i ri i ujësjellësit në Mitrovicë
Mitrovicë, 26 mars - Rrjeti i ri i ujësjellësit në qendër të qytetit të Mitrovicës, është funksionalizuar të martën, me çka pritet të përmirësohet cilësia e ujit si dhe të rritet sasia e furnizimit më ujit të pijes.
Në kuadër të projektit të financuar nga Luksemburgu me 4.5 milionë euro, përveç qendrës së qytetit, rrjeti i ujësjellësit parashihet të ndërrohet edhe në periferi.
Drejtori i Ujësjellësit rajonal, Farku Hajrizi, tha se është duke u bërë një punë shumë e rëndësishme, që do të ndikoj shumë në cilësinë e ujit të pijes si dhe humbjen teknike të ujit.
Në rrjetin ekzistues, përveç të tjerash kemi pasur humbje teknike të ujit më shumë se 40 përqind, që na ka dëmtuar shumë si kompani.
Ai tha se aktulisht janë në përfundim të fazës së parë të projektit, që përfshin qendrën e qytetit deri në fshatin Rekë, përderisa në fazat tjera rrjeti i ri do të ketë shpërndarje edhe në disa lagje periferike.
Synojmë që të furnizojmë më mirë me ujë edhe fshatrat e Shalës, tha ai.
Hajrizi theksoi se ky projekt që është duke u impelmentuar nga konzorciumi Albstar, pritet të përfundoj deri para fillimit të qershorit.
Presim që deri atëherë përfundimisht ky projekt të kryhet, duke krijuar kushte që shumë pjesë të qytetit, që kanë pasur probleme me furnizim të kenë ujë pa ndërprerë 24 orë.
Ai përmendi edhe një tjetër projekt që është duke u realizuar dhe që do të zgjidh përfundimisht furnizimin e qytetarëve të rajonit të Mitrovicës me ujë të pijshëm.
Është fjala për ndërtimin e fabrikës së re të ujësjellësit që financohet nga Komisioni Evropian në vlerë prej rreth 12 milionë euro. Kjo fabrikë pritet të jetë e gatshme për prodhim në shtator të këtij viti, theksoi Hajrizi.