Forum 2015 synon të hap debatin qytetar për Trepçën
Prishtinë, 28 tetor - Forum 2015 organizon debat për Trepçen me temë "Çka pas ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet".
Forum 2015 konsideron se pas miratimit të Ligjit për Trepçën janë ngritur pritshmëritë në vend, se më në fund Trepça mund të bëhet lokomotivë e zhvillimit ekonomik, punësuesi dhe eksportuesi më i madh në vend.
\"Nuk mund të thuhet se tashmë është bërë një punë e shënuar në drejtim të revitalizimit të këtij kompleksi industrial.\"
\"Aktualisht, janë aktive vetëm copëza të këtij kombinati, të shpërndara në veri dhe jug, gjë që e komplikon dukshëm përgatitjen për një investim të qëndrueshëm, që duhet te vijë pas disa dekadave të moskujdesit kronik\", thekson Forum 2015.
Ky debat i Forum 2015 synon të diskutojë aspekte ekonomike, sociale dhe politike, që lidhen me modalitetet që kemi përpara për ta aktivizuar këtë potencial të fjetur, dhe posaçërisht do të duhej të ndihmojë në përcaktimin e vijave të kuqe mbi të cilat Trepça e re nuk guxon të shkojë.
Përkundër perspektivës konkrete që kanë metalurgjitë sot, ato përcillen edhe me shumë kufizime, në të gjitha sferat e veprimit: ekonomik dhe mjedisor në rend të parë, por në rastin tonë edhe politik.
Forum 2015 synon të hap debatin qytetar për Trepçën, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cila do lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh.
Komunikimi i ardhshëm me qytetarë duhet të jetë shumë intensiv dhe efikas, në mos për tjetër, për të larguar brengosjen se shëndeti i tyre dhe interesat ekonomik, mund të mos merren parasysh gjatë vendosjes së skenarit që do ta përcaktojë mënyrën e re-vitalizimit të këtij kompleksi metalurgjik.
Panelistët e ftuar për të diskutuar çështjen e Trepçës, me moderim të Luan Shllakut, KFOS janë: Muhamet Mustafa Kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri; Nazmi Mikullovci - Drejtor i Trepçës në periudhat 1978-1984 dhe 2001-2008; Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Iraj Hashi Profesor i Ekonomisë - Qendra për Hulumtime për Ekonomitë në Zhvillim, Shkolla e Biznesit, Universiteti Staffordshire.