Ford zgjeron praninë në Indi dhe Kinë
Detroid, 10 qershor - Gjiganti automobilistik amerikan Ford planifikon ta zgjerojë praninë në shtetet, tregu automobilistik i të cilave është në rritje, si Kina dhe India, në kuadër të programit për rritjen e shitjes deri 50 për qind.
Ford, i cili mbijetoi krizën pa kredi qeveritare, për dallim nga konkurrentët më të mëdhenj Krajsler dhe Xheneral Motors, gjatë dy viteve të fundit ka fituar 9,28 miliardë dollarë, pas humbjes prej 30,1 miliardë dollarëve të pësuar prej vitit 2006 deri në vitin 2008.
Kompania lajmëroi se do të përqendrohet në prodhimin e automobilave më të vegjël, të cilët janë më të popullarizuar në shtetet në zhvillim dhe se ka për qëllim që deri në vitin 2020 të realizojë pjesëmarrje në treg prej 55 për qind.