22 Dhjetor 2024

Fillon trajtimi i ndërtimeve pa leje

Prishtinë, 15 korrik - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me sekretarin, Arben Çitaku dhe drejtorin e Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit ka hartuar 5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje në vendin tonë.

“ Pra nga sot fillon edhe zbatimi i ligjit për trajtimin e 352 mijë ndërtime pa leje, ku pjesë më e madhe e tyre bënë pjesë në kategoritë 1 dhe 2 , e për të cilat përgjegjëse është niveli lokal, kurse për kategorinë 3 përgjegjës për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje është MMPH-ja”, deklaroi ministri Matoshi.

Ministri Matoshi tha se me fuqizimin e këtyre Udhëzimeve Administrative është kompletuar në tërësi infrastruktura ligjore e për zbatimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Pra me zbatimin e këtij Ligj dhe Udhëzimeve Administrative  do të kemi një numër dukshëm me te madh të objekteve të legalizuara gjithandej territorit të Kosovës”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi tregoi se me këto udhëzime do të ketë taksa më të lira, ku për kategorinë e parë do të jetë 1 euro për metër katrorë ndërsa për kategorinë e dytë do të jetë taksa 2 euro për metër katrorë.

Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve, ministri Matoshi tha se do të ketë takime me kryetarët e komunave dhe drejtorive përkatëse si dhe do të ketë një fushatë informuese për qytetarët e Kosovës për këtë proces.

Ministri Matoshi falënderoi donatoret ndërkombëtar: USAID, GIZ, UN-HABITAT, OSBE dhe gjithë donatorët tjerë për përkrahjen dhe kontributin e tyre dhënë në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu ka prezantuar detajet e këtyre Udhëzimeve që sipas tij e plotësojnë infrastrukturën ligjore për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Ai tregoi për gjendjen e ndërtimeve pa leje që janë regjistruar në Regjistrin Nacional ku në total sipas tij janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje.

“  Si informatë është një skemë që e kemi të ndërtimeve deri me ligjin e vjetër, ku janë 352 mijë 836 ndërtime pa leje në regjistrat që i kemi. Prej tyre janë 8 mijë e 461 qe kanë aplikuar, ku vetëm 2 mijë certifikata të legalizimit janë lëshuar dhe shumica janë në Komunën e Prishtinës”, tregoi Spahiu.

Udhëzimet Administrative që janë nënshkruar nga ministri Matoshi dhe që sot kanë hyrë në fuqi janë: Udhëzimi Administrativ për përmbajtjen dhe kërkesat për Bazën e të Dhënave të Legalizimit të ndërtimeve pa leje; Udhëzimi Administrativ kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe II; Udhëzimi Administrativ për  kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë III;  Udhëzimi Administrativ për procedurat dhe kërkesat për rrënim të ndërtimeve pa leje dhe Udhëzimi Administrativ për  procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)