26 Dhjetor 2024

Fillon ndërtimi i Korridorit Jugor të Gazit

Baku, 23 shtator - Ndërtimi i Korridorit Jugor të Gazit, në të cilin bën pjesë dhe projekti TAP, shënoi nisjen zyrtare të punimeve me një ceremoni në Baku të Azerbajxhanit.

Pjesëmarrës në ceremoninë e fillimit të punimeve për këtë projekt, që nis nga Azerbajxhani dhe përfundon në Itali, ishte gjithashtu ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Përveç pjesëmarrjes në ceremonitë e organizuara për 20-vjetorin e “Kontratës së Shekullit”, sikurse njihet fillimi i punës në zonën e madhe gazmbajtëse, në nisjen zyrtare të punës për ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit morën pjesë një numër drejtuesish të lartë të shteteve pjesëmarrëse në këtë projekt gjigand gazsjellësi.

Burime zyrtare të MEI-t njofuan se të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën “Heydar Aliyev” ishin Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev, i Bullgarisë Rosen Pleneliev, Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, i Greqisë Antonis Samaras dhe i Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe ministri i Energjetikës së Shqipërisë Damian Gjiknuri, i Turqisë Taner Jëlldëz, ministri britanik Lord Livingston, zv/ministri i Zhvillimit Ekonomik të Italisë Klaudio De Vinçenti, i dërguari special dhe koordinatori për çështjet ndërkombëtare të energjisë në Departamentin amerikan të Shtetit, Amos Hokstajn.

Pasi shprehën mbështetjen dhe vlerësimin e plotë për këtë projekt të rëndësishëm ekonomik për Ballkanin dhe Evropën në Terminalin e Sangaçalit, gjithë zyrtarët nga vendet pjesëmarrëse vendosën në mënyrë simbolike firmën mbi tubin e parë të rrjetit “Korridorit Jugor të Gazit”.

Më tej, ai theksoi se “Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë moment, jo vetëm për të plotësuar nevojat e saj të brendshme por edhe për t’u bërë promotore e gazifikimit të disa vendeve të rajonit, të cilat ende nuk kanë infrastrukturë dhe treg të gazit”, ndërsa u shpreh se “degëzimi i TAP me projektin e gazsjellësit IAP, rrit shanset dhe mundësitë për sigurinë energjetike të gjithë rajonit”.

Gjiknuri falënderoi qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë SOCAR për vullnetin e shprehur për të ndihmuar në realizimin e këtij objektivi, që e bën Shqipërinë pjesë të tregut të gazit, ndërsa bëri të ditur përpjekjet e qeverisë shqiptare për të mbështetur fuqishëm investimet e huaja, duke krijuar përmes transparencës e sigurisë një mjedis të përshtatshëm, që çdo sipërmarrës ta shohë Shqipërinë si mundësi për të investuar.

Gjatë vizitës në Baku, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me krerët e shteteve pjesëmarrëse në aktivitet, zyrtarët vendas dhe drejtuesit më të lartë të SOCAR dhe Grupit BP.

“Korridori Jugor i Gazit” është një nga sistemet e gazit me vlera multidimensionale, me gjatësi mbi 4.000 km, ku tubacionet përshkonjnë 7 vende, përfshirë shumë kompani energjie. Projekti i madh i këtij Korridori përbëhet nga disa projekte të veçanta energjetike, të cilat së bashku përfaqësojnë një investim të përgjithshëm rreth 45 miliardë USD.

Këto projekte janë: fusha Shah Deniz 2 me shpime pusesh dhe prodhim detar gazi në Detin Kaspik; zgjerim i impiantit të përpunimit të gazit në Terminalin e Sangaçalit në bregun e Detit Kaspik në Azerbajxhan; tre projekte gazsjellësish: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut (SCPX)-Azerbajxhan, Gjeorgji, Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP)-Turqi dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)-Greqi, Shqipëri, Itali. Projekti i Korridorit Jugor të Gazit përfshin zgjerimin e rrjetit italian të transmetimit të gazit dhe mundësi për lidhje të tjera me rrjetet e gazit në Evropën Juglindore, Qëndrore dhe Perëndimore.

Gjurma e TAP-it nëpër Shqipëri është rreth 210 kilometra në tokë dhe 60 km në ujërat territoriale shqiptare në Detin Adriatik. Tubacioni nis në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik, 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, 9 stacione valvulash bllokimi, ndërsa është planifikuar një stacion tjetër afër Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm).

Në zonat malore ku do të kalojë ky tubacion, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, 44 km ekzistuese do të përmirësohen, do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015.

Ministri Gjiknuri vlerësoi për të pranishmit, të rëndësishëm projektin e Korridorit Jugor të Gazit, ndërsa ceremoninë e nisjes së punimeve, një lajm shumë i mirë që përçohet tek qytetarët e vendeve, ku do të kalojë gazsjellësi. “Transportimi i gazit nga fusha e Shah Deniz përmes TANAP dhe TAP do të mund të diversifikojë burimet tona energjetike dhe do ta vendosë Shqipërinë në hartën energjetike të Evropës”, tha Gjiknuri.

Ai bëri të ditur se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet kontraktuale për të siguruar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, një projekt që ka një rëndësi thelbësore dhe strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky gazsjellës, me ndihmën edhe të SOCAR dhe aksionerëve të tjerë të interesuar, mund të kthehet në një burim zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe gjithë Evropën juglindore. Ne jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, bazën ligjore për të garantuar suksesin e këtij projekti”, tha ministri Gjiknuri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)