Fillon ndërtimi i fabrikës së parë të kërpudhave në Kosovë
Prishtinë, 3 qershor - Premtimi i kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për ndërtimin e fabrikave për prodhimin e kërpudhave me investitorë të huaj do të filloj të realizohet të martën, fatkeqësisht jo në Mitrovicë për shkak të pengesave të shumta që bëheshin, por në Lebanë të komunës së Prishtinës, ku do të vihet gurthemeli i fabrikës së parë.
Në fabrikë do të punësohen 365 punëtorë, të profileve të ndryshme që do të punojnë në tri ndërrime dhe të gjithë do të jenë nga komuna e Mitrovicës. Për punëtorët do të sigurohet transporti pa pagesë.
Pasi që fabrika pritet të përfundoj së ndërtuar brenda 30 ditësh, konkursi për pranimin e punëtorëve në fabrikën e parë të kërpudhave, do të shpallet brenda dy ditësh dhe do të jetë i hapur 90 ditë. Punëtorët që do të përzgjidhen, do të trajnohet nga ekspertë nga Japonia.
Me të filluar prodhimin e kërpudhave fabrika e parë, do të fillojnë të ndërtohen edhe katër fabrika të tjera të këtilla, por në Mitrovicë, pasi që shpresohet se deri atëherë do të tejkalohen shumë vështirësi e pengesa.
Vënia e gurthemelit të fabrikës së parë në Lebanë, do të bëhet, të martën, më 3.06.2014, duke filluar në ora 10:00.