Fiat dhe Sollers krijojnë sipërmarrje të përbashkët
Romë, 15 shkurt - Kompania "Fiat" e Italisë dhe prodhuesi rus i automjeteve "Sollers" formuan sipërmarrje të përbashkët që pritet të prodhojë deri 500 mijë automjete në vit.
Dy kompanitë thanë se marrëveshja, e cila është mbështetur nga kryeministri rus Vladimir Putin, do të çojë në investime prej 2.4 miliardë euro.
Putin dhe kreu i "Fiat"-it, Serxho Markione, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit në qytetin Naberezhnie Çelni, 1 mijë km në lindje të Moskës në rajonin e Tataristanit, ku do të prodhohen automjetet.